E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sedorf i fiton të gjitha

Katër trofe në Ligën e Kampioneve të fituara me tre skuadra të ndryshme: një rekord absolut që i përket vetëm milanistit Klarens Sedorf, i cili në karrierën e tij ka fituar gjithcka që mund të fitojë një kampion me tre nga klubet më të mëdha të Europës: Ajaksin, Realin e Madridit dhe Milanin. Dhe për të shtuar dicka tjetër "kupës me veshë" (atë të Ligës së Kampioneve) holandezi ka në "muzeun" e tij edhe një Kupë Interkontinentale të fituar me Realin e Madridit. Sedorf është gati të fitojë në Japoni edhe Botërorin e Klubeve dhe tashmë ka rikuperuar edhe dëmtimin. "Është e nevojshme të shtrëngosh gjithmonë dhëmbët, por në prag të Botërorit e ndjej se jam gati për të bërë gjithcka", - thotë ai. Trofeu i parë në Ligën e Kampioneve në karrierën e tij të pabesueshme është ai i sezonit 1994-1995, pikërisht kundër Milanit të drejtuar asokohe nga Fabio Kapelo. Sedorf, atëherë 19-vjec, ishte së bashku edhe me Davids, në mesfushën e Ajaksit. Një skuadër e fortë dhe e mbushur plot me talente të tjera: Klajvert, Van der Sar, vëllezërit De Boer dhe Overmars. Pas kësaj nisi aventura e Sedorf në Itali te Sampdoria për t'u "arratisur" në Spanjë. Edhe një tjetër Ligë Kampionesh, dhe mbi të gjitha një Kupë Interkontinentale me Realin e Madridit. Më pas erdhën tri sezone me Interin për të kaluar te Milani, me fanellën e të cilit ka fituar shtatë trofe, që në total për holandezin kanë shkuar në 17-të: një kampionat në Itali, katër Liga Kampionesh, një Kupë Interkontinentale, dy Supërkupa të Europës, një Kupë të Italisë, një Superkupë të Ligës italiane, dy kampionate në Holandë, një kupë të Holandës, një kampionat në Spanjë dhe një Superkupë të Spanjës. Në nivelin ndërkombëtar Sedorf ka një eksperiencë të jashtëzakonshme të tillë që i vlen cdo skuadre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›