E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Kushtetuta gati më 15 prill

• Ndërsa kreu i Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se Kosova do të qëndrojë nën strukturën ligjore të Kushtetutës 1244 derisa të miratohet një e re.

Republika e njohur tashmë prej një sërë vendesh të fuqishme po finalizon Kushtetutën, e cila i vendos vulën strukturës së shtetësisë. “Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë edhe më tej vepron në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila mbetet në fuqi derisa Këshilli nuk vendos ndryshe”, ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Mun duke vlerësuar më tej se “Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimet që pasuan në Kosovë shtruan sfida të rëndësishme për UNMIK-un dhe kapacitetin e tij për të zbatuar kompetencat administrative”. Deklarata u bë në raportin që sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara i ka dërguar Këshillit të Sigurimit mbi çështjen e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së saj. “Që të mund të përballet me ato sfida, për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë, UNMIK-u ka vepruar dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë realiste dhe praktike sipas zhvillimit të situatës”, ka shtuar Ban Ki Mun. Sipas tij, çdo akt i dhunës kundër UNMIK-ut dhe pjesëtarëve të tij ose kundër anëtarëve të komuniteteve të ndryshme në Kosovë, është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Kreu i OKB-së u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga çdo akt ose deklaratë që do të rrezikonin paqen, do të çonin në dhunë ose do të vinin në dyshim sigurinë në Kosovë dhe në rajon.
Kushtetutës së Kosovës
Liderët politikë të Kosovës tashmë kanë siguruar se brenda pak ditësh Kushtetuta e vendit do të jetë gati. Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi dje se seanca e radhës të bahet të premten në të cilën do të shqyrtohen katër projektligje: Projektligji “Për vulat në institucionet e Kosovës”, “Për ndryshimin dhe plotësimin e kodit penal të Kosovës” si dhe projektligji “Për sigurinë private”. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi theksoi pas mbledhjes së Kryesisë ku kanë marrë pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare dhe se “Kryesia e Kuvendit ka miratuar në parim shqyrtimin e këtyre projektligjeve”. Sipas Krasniqit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës pritet të jetë gati deri më 15 prill, pasi që sot është takimi i parafundit i Komisionit Kushtetues. “Kemi mbledhjen e Komisionit Kushtetutës në përbërje të plotë, ndoshta mbledhja e parafundit për të parë ndryshimit që janë bërë ndërkohë, por besoj që fillimi prillit më së largu deri më 15 do të përmbyllet çështja e Kushtetutës së Kosovës”, u shpreh Krasniqi.
161 zyra të ministrive serbe
Se sa e dashuron Serbia Kosovën, kjo provohet edhe me praninë e Ministrisë serbe të Edukimit, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Punëve Sociale dhe Shërbimeve Publike, shkruan gazeta prishtinase “Koha Ditore”. Një dosier i UNMIK-ut për struktura paralele në Kosovë, të cilin gazeta prishtinase vazhdon ta botojë, provohet se ka më shumë se 161 zyra, ndërtesa dhe hapësira të tjera, në të cilat këto pesë Ministri serbe veprojnë. UNMIK në dosierin e tij ka provuar se ka më shumë se 61 ndërtesa shkollash, të cilat nuk funksionojnë në përputhje me ligjet e Kosovës, dhe se ato i raportojnë vetëm Ministrisë serbe të Edukimit. E njëjta situatë është edhe më Ministrinë serbe të Shëndetit, e cila shpenzon para në Kosovë në 18 institute shëndetësore  të përhapura në të gjithë Kosovën. Shumë e rëndësishme është edhe prania e Qendrës koordinuese serbe, e cila sipas provave të fotografuara ka ngritur dyshime se bashkëpunon nën strukturat e Ministrisë serbe të Mbrojtjes. Ka 12 zyra dhe ndërtesa të Ministrisë serbe të Punës dhe Çështjeve Sociale që veprojnë në Kosovë dhe zyra kryesore e tyre është në Mitrovicë, shkruan gazeta. Ndërsa qendrat kulturore për të cilat kujdesen serbët në Kosovë numërohen deri në 11.
Beteja e Jeremiç
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç po vazhdon betejën e tij kundër pavarësisë së Kosovës. Udhëtimi i tij ka mbërritur në Brazil, ku është takuar me këshilltarin e Presidentit brazilian për politikën e Jashtme, Marco Aurelio Garcia. Ai do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të dhomave të Parlamentit brazilian si dhe të këshillave për politikën e Jashtme. Jeremiç tha në një deklaratë se do t’u kërkonte zyrtarëve brazilianë konfirmimin e skepticizmit të njohjes së pavarësisë së njëanshme të Kosovës.

“Kosova
s’mund të
tregtohet”
Vojisllav Koshtunica ka deklaruar një miting në Topola se Serbia nuk mund të ndahet dhe se Kosova nuk mund të tregtohet për të arritur qëllime të tjera. Lideri i DSS ka deklaruar se Serbia e ka kërkuar një qeveri të përgjegjshme dhe në funksion të shtetit ligjor, duke iu kërkuar qytetarëve që të votojnë për DSS-Serbia e re më 11 maj. Koshtunica thas ed qeveria e re e ndertuar prej tij do të vazhdojë të luftojë për të marrë përsëri Kosovën, pasi “ne jemi të inkurajuar nga fakti se 150 vende në të gjithë botën nuk e kanë njohur Kosovën dhe mendojnë si Serbia”, tha ai. “Ligji dhe drejtësia do të ngrenë kokë”, deklaroi Kryeministri në largim, Koshtunica.

“Kosova, model për gjithë botën”
Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Ollbrajt ka deklaruar se Kosova është një model për të gjithë botën. Ollbrajt tha se ajo është rast unik dhe nuk rrezikon aspak reaksione zinxhir në vende të tjera. Ish-sekretarja amerikane ka përshëndetur të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq duke folur për Presidentin rus Vladimir Putin ajo kujtoi se Putini kërkon të sfidojë SHBA-të me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe përpiqet për të penguar edhe shtetet e tjera që të mos njohin shtetin e ri. Këto komente zonja Ollbrajt i bëri gjatë një takimi në Universitetin e Xhorxhias.

“Sfida tani, integrimi i veriut”
Ministrja e Jashtme e Zvicrës, Mishelin Kalmi-Rej ka deklaruar në Shkup se sfida kryesore e Kosovës aktualisht është integrimi i pjesës veriore të saj. Sipas saj, tani pritet ndërtimi i shtetit, i cili do të bazohet në drejtësi dhe demokraci dhe do të jetë shumetnik. “Mendoj se sqarimi i statusit të Kosovës është parakusht kryesor për stabilizimin dhe zhvillimin e Kosovës”, tha shefja e diplomacisë zvicerane pas takimit me homologun e saj maqedonas, Antonio Milloshovski. Ministrja e Jashtme zvicerane Kalmi-Rej ka nënvizuar se Zvicra ka qenë vendi i parë, i cili shumë më herët e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Armët për Kosovën forcojnë institucionet”
Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se ka qenë ‘politikë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara njohja e pavarësisë së Kosovës’ dhe ka ritheksuar se edhe ndihma dhe furnizimi në armatim është pjesë e planit për aftësimin e forcave të saj që të funksionojnë të pavarura. “Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur dhe këtë e kanë bërë edhe shumë vende të tjera në botë. Një pjesë e planit Ahtisari kërkon që të sigurohet aftësia e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe forcat e sigurisë, që të mund të funksionojnë të pavarura dhe të kryejnë detyrat e plota të një qeverie të pavarur. Kjo është politika që mbështesim ne”, tha Casey duke sqaruar edhe një herë polemikat që kanë ngritur kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës mbi vendimin e SHBA për të furnizuar me armë këtë vend të ri. Sa për deklaratën e ish-sekretarit të Shtetit, Lawrence Eagleburger dhënë një gazete greke se pavarësia e Kosovës është hapi i parë drejt krijimit të Shqipërisë së Madhe, zëdhënësi i Politikës së Jashtme amerikane tha se “Nuk kam njohuri nëse dikush këtu apo atje ka propozuar ndonjë Shqipëri të madhe’, tha Casey. Ai shtoi se gjëja më e mirë për ish-zyrtarët si Eagleburger është se ata janë qytetarë privatë dhe mund të flasin çfarë të duan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›