E Diel, 1 Nëntor 2026

Dukagjin, bora bllokon në rrugë 15 veta të nisur për mort

Moti
Situatë e rëndë në rrugët e Qarkut të Kukësit. Policia kthen mbrapsht kamionët e rëndë

Reshjet e borës kanë përfshirë sërish rajonin e verilindjes së Shqipërisë dhe Kosovën. Për pasojë janë rikthyer vështirësitë në akset nacionale dhe janë izoluar disa komuna të thella malore. Kështu komunat e Vermoshit, Dukagjinit dhe Iballës, të përbëra nga 23 fshatra, janë plotësisht të izoluara. Më problematike situata është në Komunën e Iballës të Pukës, ku dëbora ka arritur në mbi një metër lartësi, çfarë ka bërë që situata në këtë zonë të jetë problematike për banorët e zonës.
15 të bllokuar në rrugë
Situatë e rëndë është krijuar dhe në zonën e Dukagjinit në Komunat Shosh dhe Shalë që janë tërësisht të izoluara. Madje në këtë zonë, rreth 15 persona kanë qëndruar disa orë në dëborë në rrugën e Dukagjinit, në vendin e quajtur Mali i Shoshit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se 15 persona që ishin nisur nga Shkodra drejt fshatit Breg i Lumit në Komunën Shalë të Dukagjinit janë izoluar nga bora. Personat që udhëtonin në dy furgonë drejt Dukagjinit po shkonin në një ceremoni varrimi. Makina është bllokuar në borë dhe udhëtarëve u është dashur të ecin pesë orë në dëborë deri në destinacionin e tyre. Një nga udhëtarët, Lek Kiri, shprehet për “Shqip”: “Nuk na e morri mendja se nuk do ecte makina, pasi thanë se është hapur rruga. Por kur kaluam Kirin dhe u futëm në mal të Shoshit po binte dëborë e dendur. Makina ecte me shumë vështirësi dhe në një moment u bllokua. Për fat, në atë lartësi, ka valë telefoni dhe i telefonuam të gjitha strukturave shtetërore, por askush nuk na u përgjigj. Disa banorë të zonës na thanë se drejt nesh ishte nisur në këmbë polici i zonës së Dukagjinit, por ne nuk mund të prisnim. Ndaj u nisëm nëpër borë dhe mjegull, derisa zbritëm në Malin e Shoshit, ku erdhi sekretari i Komunës Shalë me një makinë të madhe dhe na mori”.
Ndalohen kamionët në Qafën e Malit
Ndërsa në Kukës, reshjet e fundit kanë vështirësuar lëvizjen e mjeteve në rrugët rurale, ku edhe kujdesi për to pothuajse mungon tërësisht. Komunat: Zapod, Gyka e çajës, Kalis, Arrni etj., kanë qenë gati të bllokuara, ndërsa në orët e vona të së mërkurës është bërë i vështirë edhe aksi Kukës-Shishtavec, ku sipas raportimeve lokale, vetëm dy-tre mjete fuoristradë të pajisur me zinxhirë, kanë mundur të qarkullojnë. Një numër furgonësh dhe disa mjete të ulëta janë kthyer mbrapsht, për shkak të dëborës dhe akullit në rrugë, si dhe stuhisë që kufizonte shikimin. Po kaq e vështirë paraqitet situata në qarkullimin rrugor edhe në Has e Tropojë, ku më problematike raportohet rruga Fierzë-Qafë Mali dhe rrugët e komunave Lekbibaj e Margegaj. Për të parandaluar aksidentet e mundshme, Policia Rrugore e Kukësit, e ndihmuar edhe nga efektivët e rendit, kanë ngritur disa postblloqe, ku ndalojnë kalimin e mjeteve në drejtim të Qafë Malit pa zinxhirë dhe të kamionëve të tonazhit të rëndë deri paraditen e sotme, për shkak se gjatë natës ato mund të mbeten në Qafë të Malit të bllokuar nga akulli.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›