E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau 17 vjet më parë, dënohet me 16 vjet burg

Fier
Autori është ekstraduar dy vjet më parë nga Greqia

Zbardhet plotësisht një vrasje e vitit 1993 në Fier. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në një nga lagjet kryesore të qytetit. Edhe pse çështja ka qenë e pezulluar për 15 vjet me radhë, rihapja e saj dy vjet më parë çoi në gjetjen, arrestimin dhe dënimin e autorit. Gjykata e Fierit ka dënuar dje me 16 vjet burg Kostandin Kondën, i cili akuzohej për vrasjen e Bashkim Hamitajt, në muajin gusht të vitit 1993. Hamitaj ka qenë duke ngjitur shkallët e banesës së tij në lagjen “15 Tetori” kur është qëlluar me armë zjarri. Ai ka ndërruar jetë tri ditë më pas, por në kohën që ka qenë në spital, Hamitaj ka treguar emrin e personit që e ka qëlluar. Vrasësi ka qenë Konda, i cili shoqërohej nga një person tjetër që e thërrisnin me nofkën “Lana”. Gjatë gjykimit të çështjes është provuar se motiv i vrasjes ka qenë një konflikt i ndodhur dy muaj para ngjarjes, mes nipit të viktimës, Altin Bodes dhe Kostandin Kondës. Konda ka qëlluar me pëllëmbë dhe me kaçavidë Altin Boden. Daja i tij, Bashkim Hamitaj, është hakmarrë dhe i ka zënë pritë, duke e qëlluar me armë gjahu. Prokurorja e çështjes, Alketa Zifla, kishte kërkuar 18 vjet burg për Kondën, ndërkohë që në përfundim të gjykimit, togat e zeza kanë vendosur dënimin e tij me 16 vjet heqje lirie.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›