E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet natën Bashkia e Urës Vajgurore, synohej kadastra

Berat
Hajdutët kanë tentuar pa sukses të hapin kasafortën ku mbaheshin dokumentet

Godina e Bashkisë së Urës Vajgurore ka rënë pre e grabitësve në orët e vona të së martës, ndërkohë që autorët duket se kanë synuar vjedhjen e dokumenteve në zyrën e kadastrës, e cila ndodhet në një nga zyrat e kësaj bashkie. Ngjarja është konstatuar dje, në orët e para të mëngjesit nga punonjësit e bashkisë, të cilët sapo kanë mbërritur në punë, kanë gjetur xhama të thyer, e dyer të shqyera gati në të gjitha zyrat e institucionit. Informacioni ka mbërritur fillimisht në postën e Policisë së Urës Vajgurore, godinë e cila ndodhet shumë pranë asaj të bashkisë. Por, ndonëse dy godinat ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës, punonjësit e shërbimit nuk kanë arritur të konstatojnë në kohë vjedhjen. Më pas drejt institucionit vendor të Urës Vajgurore kanë mbërritur ekspertët e policisë së Drejtorisë së Policisë Qarkut të Beratit, të cilët kanë kryer hetimet e para në vendin e ngjarjes. Nga konstatimet e para dyshohet se autorët kanë qenë disa dhe pasi kanë kaluar murin rrethues së bashkisë, kanë thyer një nga xhamat e dritareve të katit të dytë dhe më pas janë futur në ambientet e brendshme. Fillimisht ata kanë hyrë në zyrën e nënkryetarit të bashkisë dhe më pas janë futur në ambientet e brendshme. Grabitësit kanë hapur gati të gjitha zyrat e bashkisë, ku kanë bërë shkatërrimin e pajisjeve, duke hapur me dhunë sirtarë dhe dollapë të këtij institucioni. Autorët mësohet se kanë arritur të futen dhe në zyrën e kryetarit të bashkisë dhe atë të kadastrës ku kanë tentuar të hapin kasafortën dhe vendin ku mbaheshin dokumentet e kadastrës, por nuk kanë mundur ta realizojnë një gjë të tillë. Nga verifikimet e bëra dje paradite është konstatuar se nuk është prekur asnjë dokument zyrtar. Vetëm në një prej zyrave mësohet se janë vjedhur 10 mijë lekë, të cilat ishin lënë në një nga sirtarët nga punonjësi i zyrës. Gjithsesi për ngjarjen kanë nisur menjëherë hetimet e rastit dhe janë bërë shoqërimit e para në organin blu, por ende nuk ka të ndaluar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›