E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i KLD-së në Durrës, i mëshon vetëfinancimit të sistemit

Spahiu: Gjyqësori nuk ka pse varet nga lëmosha e donatorëve

Kujdes me etikën gjyqësore, shmangni dorëzimet me vonesë të vendimeve dhe mosparaqitjen në punë. Numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka tërhequr vëmendjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Durrësit mbi shqetësimet dhe ankesat e mbërritura në KLD për këto probleme. Ai ka theksuar ndërkohë se reforma në drejtësi mbetet një nga detyrimet e Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësimin në BE. Pavarësia buxhetore e sistemit gjyqësor ishte një nga pikat në të cilat është ndalur nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në fjalën e tij në analizën vjetore të punës së Gjykatës së Durrësit. Ndërkohë ai nuk ka lënë pa prekur shqetësimin e kryetarit të saj, Ervin Metalla, për vështirësitë që do të sjellë infrastruktura e mangët në hapësira për gjyqtarët, numri i të cilëve pritet të shkojë në 24 pas plotësimit të 11 vendeve vakante brenda dy muajve të ardhshëm. Gjyqësori ka nevojë për pavarësi buxhetore në mënyrë që investimet të mos mbeten në varësi të dhurimeve a lëmoshës së ndërkombëtarëve për të krijuar kushtet e duhura për një shërbim cilësor ndaj qytetarëve, pjesë e çështjeve të ndryshme që trajtohen në gjykata. Nevojat e gjyqësorit për këtë pavarësi janë të mëdha dhe veçanërisht për gjykatat që vjelin taksa gjyqësore, siç është ajo e Durrësit. Ndërkohë mësohet se 14.8 milionë lekë të reja janë vjelë një vit më parë nga kjo gjykatë, po vetëm 5 për qind e tyre mund të përdoren prej saj. Përtej vlerësimeve që bëri për këtë gjykatë në tërësi, si e vetmja gjykatë karriere së bashku me atë të Tiranës, Spahiu e vuri theksin tek ankesat e shumta që i adresohen gjyqtarëve të saj për dorëzimin e vendimeve me vonesë dhe mungesat e tyre pa shkaqe justifikuese të cilat ndikojnë, ashtu si dhe ngarkesa në gjykim, në zvarritjen e proceseve gjyqësore. Pesë gjykata do të jenë në inspektim për këto shqetësime dhe të tjera të vërejtura. Etika gjyqësore ka qenë një tjetër kritikë në të cilën Spahiu ka tërhequr vëmendjen bazuar në shqetësimet e qytetarëve për disa prej gjyqtarëve të kësaj gjykate. “Jam në dijeni të shumë shqetësimeve qytetare që adresojnë sjellje të papërshtatshme të disa prej gjyqtareve të këtë gjykatë dhe për fjalor e figura të pakëndshme të tyre në sallën e gjykimit. Imazhi juaj është premisë për punën tuaj të qetë dhe tregues për integritetin profesional”, ka thënë Spahiu. Ashtu si dhe në analizat e tjera, nënkryetari i KLD-së ka theksuar nevojën për paga më të larta dhe më shumë mbrojtje fizike për gjyqtarët, ndërsa pohoi nevojën për ndryshime jo vetëm në Kodin e Procedurës Penale po dhe të asaj civile. Cilësia dhe shpejtësia në gjykim gjithashtu janë marrë në konsideratë prej tij, duke pranuar se ngarkesa e punës për çdo gjyqtar, që në Durrës ashtu si dhe në Tiranë është e lartë, është një faktor që frenon një gjykim të shpejtë, përpos pengesave procedurale. Ndërkaq kryetari i Gjykatës së Durrësit, Ervin Metalla, duke raportuar mbi aktivitetin njëvjeçar të punës, tha se shpejtësia në gjykim ndikohet nga mungesa e një sistemi të saktë adresash, pasi pavarësisht përmirësimit të punës së shërbimit postar, ende ka probleme serioze në këtë drejtim. Ndërkohë kreu i gjykatës ka shtuar se sjellja e raporteve mjekësore nga palët, është një tjetër shkak i zvarritjes së gjykimeve. Metalla ka vlerësuar si domosdoshmëri rritjen e autoritetit të gjykatës, që ende vuan gjetjen e dëshmitarëve dhe elementë të tjerë që s’kanë të bëjnë direkt me punën e saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›