Omonia: Regjistrimi të mos bëhet sa për sy e faqe
Grekët
Minoritarët thonë se vështirësitë nuk mund të jenë justifikime
Në një komunikatë për shtyp, dhënë nga zyra e shtypit e Omonias në Sarandë, shprehet qëndrimi i kësaj organizate të minoritetit etnik grek për regjistrimin e popullsisë mbi bazën e kombësisë dhe fesë. Nga ana e tij, kryetari i degës së Omonias për Sarandën, Leonidha Papa, e quan këtë si një sipërmarrje e vonuar, por gjithsesi të pranueshme, sipas proverbit “më mirë vonë se kurrë”. Ai shprehet përmes komunikatës se kjo ka qenë një kërkesë e përhershme në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve. Sipas Omonias në Sarandë, regjistrimi është i rëndësishëm, pasi ndihmohet shteti të zbatojë një politikë të drejtë ndaj qytetarëve dhe komuniteteve të saj përbërës. “Shpresojmë se vështirësitë nuk do të përbëjnë justifikim për ata që nuk duan pasqyrimin e vërtetë të shoqërisë dhe për ata që duan një regjistrim sa për sy e faqe dhe për të kënaqur vetëm faktorin ndërkombëtar”, shkruhet në komunikatën për shtyp.
Duke u shprehur se për herë të parë tentohet një regjistrim i lirë në Shqipëri, Omonia e Sarandës vëren se "nuk mungojnë përfaqësuesit e vetemëruar të shoqërisë shqiptare në rolin e "baballarëve" të kombit dhe që nuk humbasin rastin për të treguar antihelenizmin, duke shprehur paragjykimet e zakonshme dhe pozicionohen kundër regjistrimit të popullsisë. “Zotërinjtë në fjalë, mbase nuk interesohen për të vërtetën dhe bashkëjetesën paqësore, se ndoshta humbasin rolin e tyre”, thotë Leonidha Papa. Komunikata nënvizon se Shqipëria hyri në rrugën e integrimit europian dhe qëndrime të tilla janë pengesa në këtë rrugë pa kthim. “Omonia ndjek me interes të gjitha hapat dhe jemi duke pritur ftesën e organeve kompetente që të parashtrojmë propozimet tona”, përfundon komunikata e zyrës së shtypit të Omonias.
#