Gjykata rrëzon Aldo Baren: Nuk je si Lulzim Basha
Krimet e Rënda nuk e “lirojnë” kreun e Bandës së Lushnjës. Kërkoi pavlefshmëri absolute të dosjes
Gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila kryeson procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Aldo Bare, ka qenë e prerë në vendimin e saj, duke pohuar se kreu i Bandës së Lushnjës nuk gëzon të njëjta atribute si ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, i cili u lirua duke paditur prokurorinë për pavlefshmërinë absolute të dosjes. Të njëjtën procedurë ndoqi edhe Aldo Bare, i cili kundërshtoi afatet e hetimit, kërkesën për gjykim dhe njërën prej akuzave. Megjithatë, gjyqtarja Hajdari, e cila kishte vendosur në atë kohë në favor të ish-ministrit Basha, ka argumentuar dje se kërkesat e “profesorit”, numrit një të Bandës së Lushnjës, janë të pavlefshme. Ajo deklaroi në vendimin e djeshëm, se Bare kishte kërkuar nëpërmjet avokatit Vladimir Meçi, pavlefshmëri absolute për zgjatjen e hetimit, për kërkesën për gjykim. Sipas gjykatës, procedimi penal në ngarkim të Aldo Bares është regjistruar në datën 7 shkurt 2006 dhe hetimi kishte përfunduar në datën 3 korrik 2007. Gjyqtarja Fatmira Hajdari tha se afati dyvjeçar i hetimeve nuk ka kaluar, ndërsa gjatë hetimeve paraprake i pandehuri mbrohej nga një avokat i zgjedhur prej familjes. Në atë kohë avokati nuk i kundërshtoi afatet e hetimit, si edhe kërkesën për gjykim. Gjyqtarja Hajdari tha se njoftimi i akuzës në cilësinë e të pandehurit është marrë në praninë e avokatit dhe mbrojtësi ligjor nuk e ka kundërshtuar këtë cilësim. Si rrjedhojë, edhe kërkesa për gjykim është e drejtë dhe e ligjshme. Ndërkohë, për sa i përket kërkesës për rrëzimin e akuzës për krijim të bandës së armatosur, gjykata shpjegoi procedurat, sipas së cilës akuza është e drejtë dhe e ligjshme. Gjykata tha se i pandehuri Aldo Bare kërkoi që të rrëzohej akuza e krijimit të bandës së armatosur, pasi ishte gjykuar më parë. Nga verifikimi i gjykatës në çështjen gjyqësore, rezulton se në datën 26 janar 2002 prokuroria ka tërhequr aktet për këtë akuzë në Gjykatën e Apelit në Durrës. Ndërsa në datën 12 janar 2007, Prokurori i Përgjithshëm ka shfuqizuar urdhrin e mëparshëm, duke urdhëruar Prokurorinë e Krimeve të Rënda të fillonte sërish hetimet për këtë akuzë. Në këto kushte, gjykata rrëzoi të gjitha kërkesat paraprake të të pandehurit. Më pas, fjalën e mori avokati Vladimir Meçi, i cila tha se kërkon kohë që të konsultohet me klientin e tij për hapat e mëtejshëm të mbrojtjes. Gjyqtarja e pyeti nëse kërkonte gjykim të shkurtuar, dhe avokati iu përgjigj se do të shikonte mundësinë për ta kërkuar një gjë të tillë. Për këtë kërkesë u pyet edhe organi i prokurorisë. Prokurori Besnik Muçi tha se e linte në dorë të gjykatës për vlerësimin e kërkesës së avokatit, ndërsa saktësoi se, nëse shtyhet gjyqi, për Baren të pezullohen afatet e paraburgimit. Gjykata pranoi kërkesën e avokatit Meçi dhe shtyu seancën në datën 17 shkurt, ora 10.00.
#