Duke jetuar në një botë jopolare
Bota e sotme zotërohet jo nga një ose dy, ose qoftë dhe nga disa fuqi, por saktësisht ndikohet nga duzina aktorësh shtetërorë ose joshtetërorë, që ushtrojnë lloje të ndryshme pushteti. Një shekull i njëzet i zotëruar fillimisht nga pak shtete, pastaj, gjatë Luftës së Ftohtë nga dy shtete, dhe përfundimisht nga epërsia amerikane në fund të Luftës së Ftohtë, i ka lënë vendin një shekulli të njëzet e një që nuk zotërohet nga askush. Ta quajmë jopolar.
Këtë e shkaktuan tre faktorë. Së pari, disa shtete u fuqizuan krahas me rritjen e ndikimit të tyre ekonomik. Së dyti, globalizimi dobësoi rolin e të gjitha shteteve, duke u mundësuar etniteteve të tjera të grumbullojnë fuqi thelbësore. Dhe, së treti, politika e jashtme e Amerikës ka përshpejtuar dobësimin relativ të Shteteve të Bashkuara në raport me shtetet e tjera. Si rezultat, kemi një botë ku fuqia shpërndahet gjithmonë e në mënyrë të njëtrajtshme, duke mos u përqendruar.
Shfaqja e një bote jopolare mund të rezultojë më tepër negative, duke i bërë më të vështira reagimet kolektive ndaj sfidave të mprehta rajonale dhe globale. Kjo e bën dhe më të vështirë marrjen e vendimeve nga ana e më shumë udhëheqësve. Jopolariteti gjithashtu rrit edhe numrin edhe rrezikun potencial të kërcënimeve, qofshin të shteteve kriminale, grupeve terroriste ose rebelëve.
Ndërkaq, nëse jopolariteti është i pashmangshëm, nuk është e tillë natyra e tij. Shumë më tepër mund dhe duhet bërë për t'i dhënë trajtë botës jopolare. Por rregullimi nuk lind vetvetiu. Përkundrazi, duke e lënë të përpiqet vetë, një botë jopolare do të bëhej më e çrregullt me kalimin e kohës.
Lufta kundër shpërndarjes së armëve bërthamore dhe materialeve bërthamore të paruajtura, është një nga detyrat më të rëndësishme. Nëse bashkësia ndërkombëtare administron banka të uranit të pasuruar ose të karburantit të konsumuar, vendet do të kenë akses në energjinë bërthamore, por nuk do të mund të përfitojnë materiale të nevojshme për bomba. Është e domosdoshme që shteteve t'u jepen garanci për sigurinë dhe për sistemet mbrojtëse, në të kundërtën, ato do të jenë të detyruara të zhvillojnë programe të veta bërthamore si kundërpeshë ndaj atyre të fqinjëve. Gjithashtu, mund të vendosen sanksione të ashpra për të ndikuar në sjelljen e shteteve të ardhshme bërthamore.
Gjithashtu, është e rëndësishme të vazhdohet lufta kundër terrorizmit, nëse nuk duam që epoka jopolare të shndërrohet në Mesjetë moderne. Ka shumë mënyra se si mund të dobësohen organizatat terroriste ekzistuese, duke përdorur shërbimet e zbulimit, organet e ruajtjes së rendit dhe kapacitetet ushtarake. Por kjo lojë nuk mund të fitohet nëse nuk bëhet diçka në uljen e numrit të terroristëve të rinj.
Prindërit, figurat religjioze dhe udhëheqësit politikë duhet të delegjitimojnë terrorizmin, duke damkosur ata që e ushtrojnë. Ç'ka më tepër rëndësi, qeveritë duhet të gjejnë mënyra për të integruar në shoqëritë e tyre të rinjtë dhe të rejat e mënjanuar/a, gjë që kërkon liri më të madhe politike dhe mundësi ekonomike.
Tregtia gjithashtu mund të jetë një forcë e stërmadhe në një botë jopolare, pasi i bën shtetet të interesuara në shmangien e konflikteve, gjeneron më shumë mirëqenie dhe forcon themelet e rendit politik të brendshëm; së këtejmi, pakëson gjithashtu gjasat e bllokimeve të sistemeve të drejtimit të shtetit (state failure). Për të arritur këtë synim, do të duhej të zgjerohej rrezja e veprimit të Organizatës Botërore të Tregtisë nëpërmjet negociatave të marrëveshjeve globale të ardhshme, që pakësojnë subvencionet, si dhe barrierat tarifore dhe jotarifore.
Mund të duhen përpjekje të një niveli të ngjashëm për të siguruar fluksin e pandërprerë të investimeve. Si objektiv do të duhej të ishte krijimi i një Organizate Botërore të Investimeve (OBI), e cila, me anën e nxitjes së flukseve ndërkufitare të kapitaleve, do të minimizonte rrezikun që "proteksionizmi investues" të pengojë aktivitete (sikurse është tregtia), të cilat janë të leverdishme ekonomikisht dhe që ndërtojnë mburoja kundër paqëndrueshmërisë. Një OBI mund të nxiste transparencën nga ana e investitorëve, të përcaktonte kur siguria kombëtare është arsye e ligjshme për të ndaluar ose kufizuar investimet, si dhe për të vendosur një mekanizëm për zgjidhjen e debateve.
Gjithashtu duhen më shumë përpjekje për të parandaluar bllokimet e sistemeve të drejtimit të shtetit dhe për të trajtuar pasojat e tyre. SHBA-të dhe vendet e tjera të zhvilluara është e nevojshme të rrisin kapacitetet e tyre ushtarake për të trajtuar kërcënime të tipit, me të cilat jemi ndeshur në Irak dhe Afganistan, si dhe për të krijuar një panel talentesh civile për asistencë në detyrat bazë të ndërtimit të kombeve. Do të ishte gjithashtu shumë e rëndësishme një ndihmë më e madhe ekonomike dhe ushtarake, për të rritur aftësinë e shteteve në marrjen e përgjegjësive të tyre para qytetarëve dhe fqinjëve të vet.
Parimi i marrëdhënieve shumëpalëshe - multilaterizmi - do të jetë vendimtar në një botë jopolare. Megjithatë, për një zbatim të suksesshëm të këtij parimi, është e domosdoshme që ai të rishikohet për të përfshirë në të jo vetëm fuqitë e mëdha, por edhe entitete të tjera. Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe G-8 duhet të rikompozohen për të pasqyruar gjendjen e sotme në botë dhe jo periudhën e pas-1945-ës. Gjithashtu do të jetë e nevojshme të shqyrtohet mundësia e pjesëmarrjes së aktorëve joqeveritarë në organizatat dhe proceset shumëpalëshe.
Multilaterizmi, ndoshta, duhet të jetë jo aq gjithëpërfshirës dhe më pak formal, të paktën, të ruajë karakterin fillestar. Krahas organizatave është e nevojshme të krijohen rrjete më të gjera. Është e vështirë që të gjithë të jenë në një mendje për gjithçka; në vend të kësaj, do të na duhet të merremi vesh me më pak palë dhe për objektiva më të ngushtë.
Këtu tregtia është një nga modelet, në atë kuptim që marrëveshjet dypalëshe dhe rajonale mbushin vakuumin e krijuar nga paaftësia për të përfunduar një cikël tregtar global. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për ndryshimet klimatike: një marrëveshje për disa aspekte të problemit (ta zëmë, shpyllëzim) ose involvim i vetëm disa vendeve (për shembull, atyre që emetojnë më tepër karbon) mund të jetë më dobiprurëse në dallim nga një marrëveshje, që përfshin çdo vend dhe që synon të zgjidhë çdo problem.
Multilaterizmi "me zgjedhje" i përgjigjet plotësisht porosisë së ditës. Kjo ende nuk është optimale, por varianti më i mirë në një botë jopolare mund të rezultojë i parealizueshëm.
*Riçard Has (Richard Haass), ish-drejtor i Planifikimit Strategjik (Policy Planning) në Departamentin Amerikan të Shtetit, është President i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Ky artikull është variant i shkurtuar i një sprove, që botohet në numrin e maj/qershorit të revistës "Foreign Affairs".
*Shkrimi botohet nesër në revistën "Foreign Affairs" të numrit maj/qershor