E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, 26-vjeçari hedh veten në erë me dinamit

 

Pas ndarjes nga bashkëshortja, Nasip Alikaj kishte kaluar në depresion duke tentuar disa herë që të vriste veten

SARANDË- Një 26-vjeçar nga Saranda i ka dhënë fund jetës mëngjesin e djeshëm duke u hedhur në erë me dinamit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Berdënesh kur Nasip Alikaj ka ndezur fitilin e dinamitit duke tmerruar të gjithë anëtarët e familjes. Ai kishte tentuar edhe herë të tjera që të vriste veten por ishte ndaluar nga njerëzit e familjes. Gjatë kohëve të fundit, 26-vjeçari po kalonte një periudhë depresioni për shkak të divorcit me bashkëshorten dhe problemeve të tjera.

Vetëvrasja

Dy ditë më parë, Nasip Alikaj është kthyer nga puna e tij e përditshme e kullotjes së bagëtive. Në mbrëmje ai ka nisur që të flasë për vetëvrasjen dhe kjoka shqetësuar së tepërmi njerëzit e tjerë të shtëpisë. Babai i tij, Agim Alikaj, i ka qëndruar pranë dhe në një moment e ka parë teksa mbante në duar disa kokrra të vogla. Kur ai ia ka marrë ato ka zbuluar se ishin fostoksinë dhe i biri po tentonte që të vriste veten. Prindërit janë përpjekur që ta bindin 26-vjeçarin që të mos kryente aktin ekstrem dhe në mbrëmje ai i ka pohuar atyre se nuk do të tentonte më vetëvrasjen. Por mëngjesin e djeshëm prindërit e tij kanë ndjerë dhe dëgjuar një shpërthim të tmerrshëm që vinte nga dhoma e gjumit e djalit të tyre. Ata kanë rendur brenda dhe kanë gjetur dhomën të mbushur me tym e në kaos të plotë. Në qendër të dhomës qëndronte djali i tyre 26- vjeçar me plagë të mëdha në gjoks dhe fytyrë. Prindërit janë përpjekur që ta ndihmojnë por Nasip Alikaj kishte gjetur vdekjen e menjëhershme. Ata kanë njoftuar policinë lokale, e cila disa minuta më pas ka shkuar në vendin e ngjarjes. Ekspertët e policisë kanë nisur hetimet ndërsa trupi i pa jetë është dërguar në morgun e Sarandës për të kryer autopsinë. Burime nga grupi hetimor që ndodheshin në vendin e ngjarjes pohuan dje se kanë gjetur pjesë të fitilit zjarrpërcjellës që përdoret për plasjen e dinamitit, një shkrepëse si dhe një bidon një litër e gjysmë me raki të konsumuar deri në gjysmë. Ndërkohë mjeku ekspert i mjekësisë ligjore, pas ekzaminimit të kufomës, ka dalë në konkluzionin se shkaku i vdekjes ka qenë nga lëndë eksplozive e ndezur dhe aktivizuar nga fitili e kapsolla detonatore. Hetuesit mendojnë se i riu ka konsumuar sasinë e rakisë e më pas, në gjendje të dehur, ka vendosur të kryejë aktin ekstrem.

Shkaqet

Ndërkohë familjarët e tij kanë treguar dje edhe shkaqet që mund të kenë shpënë 26-vjeçarin Nasip Alikaj drejt kryerjes së vetëvrasjes. Pak kohë më parë, ai është ndarë nga bashkëshortja, e cila ka marrë me vete edhe djalin e vetëm që kishte ardhur nga kjo martesë. "Menjëherë pas kësaj Nasipi ra në depresion. Shpesh herë ai ishte i shpërqendruar. Na kishte thënë që do të vriste veten. Ditët e fundit ai thoshte shpesh se do të vriste veten me armë zjarri, duke pirë helm apo duke u vetëmbytur në detin që ndodhet vetëm 50 metra larg shtëpisë. Ne ishim përpjekur që ta bindnim të hiqte dorë nga kjo ide",- kanë pohuar dje të afërmit e tij. Në orët e mesditës trupi i pajetë i Nesip Alikajt është tërhequr nga familjarët për të kryer ceremoninë mortore të përcjelljes për në banesën e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›