Qeveri e (mos)ndryshimit
Megafonë të administratës publike dhe mediave shumë pranë tyre, vazhdojnë të flasin për suksese dhe përparime të papara; (në të gjitha fushat, siç thuhej dikur.) Edhe pse jo me tonet e mëparshme, premtimet dhe mburrjet janë ende në rendin e ditës; paçka se varfëria dhe inflacioni po sfidojnë qeverisjen dhe, më tej se kaq. Një nga sektorët ku qasjet demagogjike po komprometohen, është ai i zhvillimit të SME-ve, përndryshe i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Që në fillim të viteve '90, ky flamur u valëvit si ogur mirëqenieje dhe përparimi. E vërteta është që zhvillimi i SME-ve cilësohet si një ndër instrumentet më efikase për ekonomitë në tranzicion; ky sektor gjeneron rritje ekonomike të qëndrueshme, ndërkohë që siguron punësim dhe kontribuon për zbutjen e varfërisë. Sipas informacioneve që ofrojnë institucionet studimore dhe vetë administrata shqiptare, (p.sh., "Programi strategjik për zhvillimin e SME-ve për 2007-2009"), SME-të japin rreth 64% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe garantojnë punësimin e rreth 66% të të punësuarve në sektorin privat. Sa i takon strukturës së punësimit, SME-të me 1 deri në 80 punonjës, përbëjnë mbi 99% të ndërmarrjeve private aktive në Shqipëri. Por zhvillimi i këtyre ndërmarrjeve në mënyrë të rastësishme dhe sipas interesave të çastit, në një sintoni të habitshme midis prirjeve mtonjëse të individëve dhe indiferencës totale të administratës, ka prodhuar më shumë probleme sesa rezultate. Kështu, sa i takon shpërndarjes gjeografike, rreth 50% e ndërmarrjeve janë përqendruar në zonën Tiranë - Durrës, ku edhe janë punësuar 57% e të punësuarve të sektorit privat. Po ashtu, rreth 69% e ndërmarrjeve me kapital të huaj, janë të përqendruara në prefekturën e Tiranës, kurse vetëm 5% e tyre veprojnë në Korçë, po kaq në Shkodër dhe vetëm 3% në Vlorë. Niveli më i ulët i përfaqësimit të ndërmarrjeve, paraqitet në prefekturat Lezhë (2.1%), Dibër (1.4%) dhe Kukës (0,5%). Shpërndarja e bizneseve sipas sektorëve të ekonomisë, gjithashtu paraqitet mjaft problematike. Tregtia: 49%; shërbimet 24%; industria 11%, dhe transporti 10%.
Duke analizuar gjeografinë dhe destinacionin e këtij sektori, dy përfundime janë mëse të sigurta: Së pari, e ashtuquajtura iniciativa private, që realisht duhet inkurajuar, ka dalë jashtë kontrollit; administrata nuk ka mundur dot të mirë-shpërndajë këto energji dhe kapitale në funksion të zhvillimit tërësor të vendit. Kjo ngathtësi i ka lënë shumicën e zonave jo qendrore të vendit jashtë shanseve të zhvillimit; për rrjedhojë, në kthetrat e pasigurisë dhe të varfërisë së skajshme. Në po këtë gjuhë, flet edhe politika e kreditimit; kreditë e akorduara në rrethin e Tiranës dhe të Durrësit, përbëjnë 75% të totalit të kredisë, ndërsa pjesa tjetër e portofolit të kredisë, është shpërndarë përafërsisht në këtë gjeografi: 5% për rrethet në Veri të vendit; 6% për rrethet në Shqipërinë e Mesme; dhe 15% për rrethet në Jug. Së dyti: e interesuar (vetëm) për të mbledhur të ardhurat nga biznesi, administrata ka pranuar kapitullimin e prodhimit vendas. Midis të tjerave, kjo është bërë edhe duke lënë pas dore burimet njerëzore dhe ato materiale që gjenden në rrethet larg "metropolit" dhe në zonat rurale. Një nga shembujt më të dhimbshëm të këtij shpërqendrimi, është prapambetja në bujqësi, që natyrshëm ka të bëjë jo thjesht me vullnetin qeverisës, por edhe me kthimin dhe kompensimin e pronave, me shpërdorimin e tokave bujqësore, me veprimin e monopoleve të importit të produkteve kryesore, etj. Në këto kushte, produktet bazë janë dhe mbeten të gjitha pjesë e "mbretërisë" së patrazuar të importit; loja e paprerë e çmimeve gjithashtu, (madje kjo ndodhte edhe atëherë kur në tregun rajonal nuk kishte kurrfarë shenjash dhe as motive për një gjë të tillë). Në bazë të raportit të vetëvlerësimit të politikave në fushën e SME-ve, sipas indeksit të vlerësimit të OECD, (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim), në 10 dimensione, rezulton se indeksi i politikave për SME-të në Shqipëri paraqitet në shifrën modeste 2, nga 5 që është indeksi maksimal. Ky vlerësim mund të cilësohet ndër nivelet më të ulëta në rajonin tonë. Më tej, edhe disa nga objektivat e qeverisë shqiptare, si të thuash, janë të vendosura në hava. Duke marrë parasysh se sektori i SME-ve përbën një forcë aktive në zhvillimin e ekonomisë, thuhet në formulimin e strategjisë së SME-ve, qeveria në programin e saj, parashikon disa objektiva në terma më afatgjatë(!) Për këtë arsye, ajo ka vendosur objektivat si më poshtë: Rritja e të punësuarve me 5% në vit; rritja e ndërmarrjeve të reja me 15% në vit; rritja e kreditimit në 4 vjet për sektorin privat, me 3-4 herë; rritja e aftësive mikro-kredituese në 4 vjet, me 3-4 herë. Ky entuziazëm, të kujton pak a shumë ato parashikimet dhe objektivat e kohëve të shkuara. Kështu, sa për t'iu qasur vetëm njërit prej objektivave, që nga koha kur është hartuar një pjesë e këtij dokumenti - viti 2006 - nuk ka kurrfarë rritjeje të numrit të të punësuarve. Përndryshe, kësaj i thonë: "Ku ishim? Asgjëkund!".
Ndërkohë, shumë pak flitet në Shqipëri për biznese e ndërmarrje të reja. Dikur u bë fjalë për "zbulimin" e rreth 20 mijë ndërmarrjeve, që hynë në listat e tatimeve në vitet 2005-2006; kjo natyrisht ishte për t'u përshëndetur. Por nuk ka shifra që të na tregojnë për ndërmarrje të reja, për të mos thënë që shumë ndërmarrje, veçmas ferma, janë sot në ditë hallit, në mos po mbyllen. Një tjetër element i diskutueshëm i fitores së strategjisë (në letër), ka të bëjë me sigurimin e burimeve njerëzore. Për këtë arsye, thuhet në dokumentet e shkruara bukur, një sjellje tjetër sipërmarrëse duhet të ndërtohet që në hapat e parë të edukimit të brezit të ri. Veprime të tilla, janë shumë të rëndësishme në krijimin e ambientit të duhur për sipërmarrësit në sistemin arsimor, për të siguruar që të rinjtë të jenë të informuar për kulturën sipërmarrëse dhe ta konsiderojnë atë si pjesë të edukimit të tyre dhe mundësi e ardhshme punësimi. E vërteta flet ndryshe: pothuaj 80% e nxënësve të shkollave të mesme dynden nëpër universitete; dhe më e shumta e atyre që mund të punësohen, e bëjnë këtë si kamerierë apo shitës. Më tej, strategjitë parashikojnë përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve mbështetëse për nxitjen e eksporteve. Rritja e nivelit te kreditimit dhe krijimi i fondit shqiptar të garantimit të kredive, është përpjekja që mund të shihet e sendëzuar në ndonjë hap tepër modest të Agjencisë së Investimeve. Kjo praktikë, me një ngathtësi shembullore, duket se sot po rreh të rregullojë ç'të mundet edhe në bujqësi. Vonesa të tilla, ngecja në vend e SME-ve, sikundër edhe shumë (mos)zhvillime apo skandale, tregojnë se qeveria e ka humbur toruan. E megjithatë, ajo nuk reflekton njëfarësoj, nuk planizon asnjë ndërhyrje amortizuese, madje ajo nuk denjon as të bëjë ndryshime; kjo ndodh për shkak se i ka humbur lidhjet me votuesit e saj dhe me realitetin që gëlon nga varfërimi dhe ngritja me galop e çmimeve.