E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fermerë, kujdes! Në treg qarkullojnë fidanë falsë

Blerja e fidanëve të pakontrolluar nga ana e fermerëve në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës ka shkaktuar probleme ekonomike në lidhje me kultivimin e vreshtarisë dhe drufrutorëve në Jug të vendit.

Sipas specialistëve të bujqësisë “janë një numër i konsiderueshëm fermerësh të cilët në këtë sezon kanë blerë fidanë të pakontrolluar duke shkaktuar kështu probleme përsa i përket të ardhurave nga agrobiznesi”.

“Shpesh fermerët i drejtohen njësive të paliçensuara për blerjen e varieteteve të ndryshme të vreshtave apo drufrutorëve por si shkak i mungesës së kontrollit ata bien “pre” e mashtruesve të cilët iu tregëtojnë lloje të tjera fidanësh”, thotë Balil Bineri, specialist i mbrojtjes së bimëve në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjirokastër.

Një veprim i tillë ka shkaktuar humbje të konsiderueshme përsa i përket fermerëve të Qarkut të Gjirokastrës në drejtim të kultivimit të vreshtarisë dhe drufrutorëve. Specialistët e bujqësisë iu rekomandojnë fermerëve që gjatë këtij sezoni të drejtohen për blerjen e fidanëve bujqësorë në njësitë e licensuara.

“Aktualisht në Qarkun e Gjirokastrës veprojnë 7 njësi të liçensuara dhe kontrolluara për tregtimin e fidanëve në të cilat punon një staf i specializuar agronomësh dhe personash të kualifikuar”, thonë specialistë e bujqësisë. Sipas tyre tërheqja e fidanëve në këto njësi do të shmangte humbjet e konsiderueshme ekonomike që iu krijohen fermerëve nga blerja e fidanëve të pakontrolluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›