E Diel, 1 Nëntor 2026

E ndjek policia greke, 28-vjeçari bie në greminë

 

Kastriot Dedaj ka humbur jetën pas 10 ditësh në reanimacion. Ai po tentonte të kalonte ilegalisht kufirin me Greqinë

Një 28- vjeçar nga Mirdita ka humbur jetën teksa ka tentuar t'i largohej me vrap ndjekjes së policisë greke, duke rënë në greminë. Ai ka arritur që të mbijetojë për dhjetë ditë në reanimacion në një prej spitaleve të Greqisë por nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të marra në kokë. Kastriot Dedaj, 28 vjeç, është viktima e radhës e policisë greke, e cila përkundrejt emigrantëve në jo pak raste shfaq barbari ekstreme duke i ndjekur me të rrahura e keqtrajtime ata që guxojnë të futen përmes kufirit, e ku dhe humbja e jetës as që merret parasysh.

Kastriot Dedaj me origjinë nga Mirdita, i vendosur së fundi me banim në Bushnesh të Mamurrasit, 10 ditë më parë ka marrë rrugën së bashku me disa të afërm të tij duke kaluar kufirin shqiptaro-grek për të shkuar tek vendet e punës ku punonte prej vitesh në zonë të Greqisë. Por në rrugë e sipër ata janë diktuar nga policia, ndaj për t'i shpëtuar rrahjes nga ana e policisë greke, ata kanë nisur që të vrapojnë. Por për 28- vjeçarin Dedaj ky vrapim ka rezultuar fatal. Në ecjen e shpejtë për t'i shpëtuar policisë, atij i kanë rrëshqitur këmbët duke rënë në një greminë të thellë ku dhe ka pësuar goditje të forta në kokë. Duke e parë atë të binte në greminë, edhe shokët e tjerë janë ndalur e së bashku me policët grekë janë munduar ta nxjerrin nga gremina ku kishte rënë. "kur e nxorrëm nga gremina ai ishte i mbuluar me gjak dhe kishte plagë pothuajse në të gjithë trupin. Më shumë plagë kishte në kokë. Ato ishin më të rrezikshmet e që dhjetë ditë më pas i sollën vdekjen",- kanë thënë shokët e 28-vjeçarit nga Mirdita.

Të afërmit e viktimës thanë për gazetën se 28- vjeçari Kastriot Dedaj figuron me letra të rregullta në vendin e punës në Greqi dhe punonte atje prej dy viteve. Por pikërisht në momentin që duhej bërë rinovimi i letrave, një problem i ngutshëm e sjell në vendlindje duke ardhur me avion nga Athina. E vetmja mundësi për të sjellë rinovimin e letrave ishte shkuarja pranë vendit të punës, ndaj është nisur me tre të afërm të tjerë rrugës në këmbë përgjatë kufirit. Por sapo kanë ecur disa kilometra tej kufirit shqiptar, janë pikasur dhe vënë në ndjekje nga policia greke. "Ne ikëm se i pamë policët me drunj thane të fortë në duar", kanë thënë shokët e tij kur kanë marrë në telefon shtëpinë e Kastriotit për t'i dhënë lajmin e kobshëm. Në lidhje me këtë ngjarje është njoftuar edhe ambasada shqiptare në Athinë por trupi ende nuk ka mbërritur në shtëpinë e viktimës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›