E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes në Turqi Këshilltari Bashkiak i Elbasanit

 

Esat Sula kishte pësuar një aksident automobilistik disa ditë më parë dhe nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve

ELBASAN- Ka ndërruar jetë në një spital të Turqisë këshilltari i pavarur i Bashkisë së Elbasanit, Esat Sula. Pak ditë më parë, ai pësoi aksident automobilistik në aksin rrugor Elbasan-Librazhd në afërsi të fshatit Mirakë. Pasi mori ndihmën e parë në Elbasan dhe Spitalin Ushtarak në Tiranë, ai u nis përmjekim më të specializuar në Turqi. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, këshilltari dhe biznesmeni rom ka gjetur vdekjen. Në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, Esat Sula kandidoi si këshilltar i pavarur dhe gjeti gjithë mbështetjen e komunitetit rom duke marrë edhe votat e nevojshme. Ai ishte i vetmi përfaqësues në pushtet i këtij komuniteti të gjerë. Gjithashtu Esat Sula do të mbahet mend si një nga biznesmenët e parë dhe më të sukseshëm të qytetit të Elbasanit. Në vitet e para të demokracisë ai fillon tregtinë dhe më pas e zgjeron aktivitetin duke futur metrazhe dhe konfeksione. Esat Sula ishte përfaqësuesi më tipik i komunitetit rom të Elbasanit, i cili njihet për problematikën që mbart në shkallë vendi. Gjatë aktivitetit të tij në këshillin Bashkiak ai u rendit kurdoherë për të mbrojtur interesat e komunitetin që përfaqësonte. Nisur nga kontributi që ka dhënë, por edhe si përfaqësues i këshillit bashkiak, bashkia e Elbasanit ka vendosur të organizojë një ceremoni të veçantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›