E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ish-SHISH-asi tentoi të vriste tutorin e kunatës

15/05/2005  Naim Cara tentoi qëlloi mbi Gentian Biçakun që i shfrytëzonte kunatat si prostituta në Itali

TIRANË- Qëlloi me pistoletë mbi një të ri për të mbrojtur nderin e kunatave që shfrytëzoheshin si prostituta në Itali e pas kërkimit 4-vjeçar, bie në pranga nga uniformat blu të Tiranës. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur dje se punonjësit e Komisariatit Nr.3 kapën shtetasin në kërkim Naim Carën, 30 vjeç, lindur në Kurbnesh të Mirditës dhe banues në Tiranë. Cara është dënuar nga Gjykata e Tiranës, me masën e sigurisë "arrest në burg", për veprën penale të “Vrasjes së kryer me paramendim, mbetur në tentativë dhe të mbajtjes pa leje të armëve luftarake".

Kunatat prostituta

Në ngarkim të të pandehurve Naim dhe Ylli Cara është zhvilluar një seancë gjyqësore me gjykatës Altin Abdiun. Ngjarja ka zënë fill në prill të 2001-shit. Naimi nuk e ka pranuar dot faktin që dy kunatat e tij të punonin në Itali si prostituta. Me armën që i kishte dhënë shteti, pasi ishte punonjës i SHIK-ut dhe me një tjetër që e kishte siguruar nga kushëriri i tij, mendon të vrasë personat që shfrytëzonin për prostitucion dy kunatat e tij. Për të vrarë Gentian Biçakun, Frederik Hebën dhe Lindita Çerpën kunatën e tij, Cara kishte kërkuar ndihmën e kushëririt Ylli Cara. Sipas gjykatës, i pandehuri Naim Cara, ka patur informacion të plotë se dy kunatat e tij Bedrie dhe Lindita Çerpja, shfrytëzoheshin në Itali nga shtetasi Gentian Biçaku dhe disa të tjerë. Në prill të vitit të kaluar, kunatat e Carës ishin kthyer nga Italia së bashku me Gentianin. Këtë fakt e mëson i pandehuri Naim, që punonte në SHISH. Për të marrë hak dhe për të parandaluar veprimtarinë e kunatave të tij, Naimi përgatit skenën e eleminimit të Gentianit.

Ngjarja

Në 12 prill të vitit 2001, Naimi merr dy pistoletat, dhe i shoqëruar me makinë nga Ylli Cara vihet në ndjekje të objektivit. Për të mësuar se ku ishte atë natë Gentiani me kunatën e tij Lindita, Naimi kontrollon të gjitha diskot. Në fillim ka shkuar tek disko “San Paolo” në Tiranën e Re. Pasi nuk kanë arritur dot t’i gjenin, janë kthyer në shtëpi. Por në afërsi të saj kanë ndërruar mendje dhe janë nisur për në Kamëz për të pirë një kafe. Rrugës kanë parë makinën e personave që kërkonin dhe janë vënë në ndjekje të saj. Sapo i janë afruar makinës, Naimi qëllon mbi Gentian Biçakun. Sipas prokurorit, i pandehuri e ka arritur makinën në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Nga të shtënat e të pandehurit në makinë janë bërë 12 vrima, por pa shkaktuar viktima. Kur kanë arritur tek “21 dhjetori” në afërsi të Komisariatit 2, i pandehuri së bashku me kushëririn e tij janë kthyer për nga Fusha e Aviacionit dhe më pas janë nisur për në Mamurras. Ndërsa Gentian Biçaku i është drejtuar policisë për të bërë kallëzim. Në shtëpinë e të pandehurit u gjetën tre pistoleta, të tipeve Makarov, Zastava dhe TT që Naimi e kishte të punës. Për të humbur gjurmët, Naimi nuk ka përdorur armët e punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›