Dule: Berisha njësoj si qeverisja e Fatos Nanos
BLEDAR HOTI
Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut mund të largohet nga koalicioni i djathtë, duke u rreshtuar përkrah së majtës në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Shkak i këtij ndryshimi të kursit duket se është pakënaqësia që ka kjo parti politike për qeverisjen “Berisha”. Sipas tij, kjo qeverisje e djathtë nuk ka ndryshuar nga ajo e kryeministrit të majtë, Fatos Nano. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, në intervistën dhënë në emisionin “Ora 20” të Alsat Tv, shprehet i zhgënjyer nga qeverisja e demokratëve. Edhe pse një parti që është pjesë e këtij mandati katërvjeçar qeverisës, Dule thotë se në këtë mandat pati shumë pak ndryshime. Ai i cilësoi si dy anë të së njëjtës medalje qeverisjen e socialistëve në periudhën 2001-2005 dhe këtë të demokratëve gjatë katër viteve të fundit. “Pak ndryshime mund të vihen re në lidhje me mandatin e mëparshëm 2001-2005, sepse me periudha të tjera nuk ka shumë pika të përbashkëta kontakti, se ishin të natyrave të tjera problemet dhe shqetësimet. Nuk u arrit që t’i jepet shoqërisë ai temp zhvillimesh në politikë, në ekonomi, në aspektin social, që do të gjeneronte energji dhe do të sillte një situatë krejt të ndryshme”, deklaroi Dule. Kreu i PBDNJ-së për shkak të këtij perceptimi që ka kjo parti politike nuk e përjashton mundësinë e daljes në koalicion me të majtën, pasi sistemi i ri proporcional ia kushtëzon partive politike një dalje jo si subjekt politik më vete. Dule ka bërë të ditur se një vendim i tillë do të ndërmerret nga strukturat e PBDNJ-së. “Nuk mundem të përjashtoj dhe të paragjykoj vendimet e strukturave drejtuese të PBDNJ-së. Më datë 9 maj do të zhvillojmë kongresin që do të marrë vendimet përkatëse, do prezantoj vendimin politik se si do kandidoj”, tha Dule. Duke iu referuar çështjes Bollano, kryetari i PBDNJ-së thotë se, “gjithçka po ndodh ka prapavijë politike”. PBDNJ-ja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 mori tre deputetë, dy nga lista shumëemërore dhe një nga sistemi maxhoritar, duke pasur edhe ndihmën e së majtës. Pas kësaj PBDNJ-ja ka pasur gjatë këtij mandati qeveritar të djathtë portofolin e Ministrisë së Punës dhe Çështjes Sociale. Fillimisht ministër ishte Kosta Barka për t’u zëvendësuar nga Anastas Duro. PBDNJ-ja në këto zgjedhje mund të shihet si një parti që mund të ndikojë në formimin e maxhorancës së ardhshme parlamentare. Aktualisht, Partia Demokratike ka realizuar vetëm një marrëveshje paraelektorale për votimet e 28 qershorit, me aleatin kryesor Partinë Republikane. Pakti PD-PR u firmos katër ditë më parë, duke nisur procesin e konturimit të koalicionit të djathtë në këto votime të 28 qershorit. PD-ja ende nuk ka përcaktuar se çfarë marrëdhëniesh do të kenë partitë e tjera të koalicionit qeveritar, si Partia Ambientaliste Agrare, një tjetër parti politike që la koalicionin e majtë, për t’ju bashkangjitur PD-së në pushtet në vitin 2005.