Rama në Kongresin e PBDNJ-së: “Zgjedhjet u manipuluan”
Kryetari i PS-së, Edi Rama, e ka quajtur aleancën me PBDNJ-në një aleancë natyrale jo nga vullneti i kryetarëve, po nga prirja natyrale e qytetarëve. Ai shtoi se si e tillë, kjo aleancë është e destinuar vetëm që të forcohet, vetëm që të artikulohet përmes objektivash sa të përbashkëta, aq edhe të përveçme. “Në pikëpamje të objektivave të përbashkët jemi të gjithë të lënduar, sepse 28 qershori ishte dita kur populli sovran u shpreh për një ndryshim të madh dhe njëkohësisht kur vullneti i shprehur i popullit sovran u deformua, dhe sot e gjithë ditët është i marrë peng në kutitë e votimit, në ato kuti votimi që duhen hapur edhe për të adresuar mbi bazën e provave e të fakteve shqetësimin serioz dhe plotësisht legjitim të PBDNJ-së dhe të përfaqësuesve të saj”, - theksoi Rama. Në fjalën e tij ai ka folur edhe për hapjen e kutive, që lidhet jo vetëm me rezultatin, por edhe me nivelin e përgjegjshmërisë në raport me Kushtetutën dhe me ligjin të secilit që është përfshirë në këtë proces. “Kjo histori është një turp në mes të Europës dhe ne nuk mund të pranojmë që në mes të Europës, në vitin 2009, të na thuhet se këto zgjedhje ishin më të mira se të tjerat, po prapë nuk ishin aq të mira sa ato që duhet të ishin, prandaj vazhdoni se do të vijmë herën tjetër t'ju shikojmë. Pra i sëmuri është më mirë, por akoma nuk është shëruar”, - u shpreh kryesocialisti. Ai, në fund të fjalës, së tij përsëriti domosdoshmërinë për të pasur një qasje tërësisht europiane edhe në raport me të gjitha minoritetet. Që do të thotë se ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim dhe se PS-ja është jo vetëm e gatshme, por është njëkohësisht edhe plotësisht e predispozuar që në këtë aspekt ta shikojë PBDNJ-në jo thjesht si njëri ndër aleatët, por si aleati që ka zërin më të plotë lidhur me këtë çështje.
21 Dhjetor 2009