E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: Domosdoshmëri një qeveri teknike dhe zgjedhje të reja

18/07/2009  Kreu i PBDNJ-së kritikon aleancën Meta–Berisha

Partia Bashkimi i Drejtave të Njeriut do të vijojë të jetë pjesë e aleancën “Bashkë për Ndryshim”. Kështu, kreu i kësaj partie, Vangjel Dule, jo vetëm që konfirmoi publikisht një qëndrim të tillë, por nuk vonoi të bënte me dije lidhur me propozimet e ardhura nga kjo parti sa u takon zhvillimeve politike në të ardhmen. I pozicionuar majtas dhe me një gjuhë kritike ndaj aleancës Meta–Berisha, Dule kërkoi krijimin e një qeverie teknike për t’u paraprirë zgjedhjeve të parakohshme. Për kreun e PBDNJ-së vendi duhet të përgatitet për një tjetër garë elektorale.

Deklarata

Procesi zgjedhor është kontestuar dhe nga një tjetër parti parlamentare, konkretisht nga PBDNJ-ja. Sipas kreu të kësaj partie Vangjel Dule, procesi i numërimit të votave tjetërsoi vullnetin e zgjedhësve. “Zgjedhjet e 28 qershorit 2009 deligjitimohen përditë e më tepër në sy të qytetarëve e të shoqërisë për të qenë zgjedhje të ndershme, të barabarta e demokratike. Procesi i numërimit nuk mund të përshkruhet një hap para, por një hap prapa sa u takon standardeve, duke qenë kështu një proces tërësisht i dështuar, duke tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve”, - vuri në dukje Dule lidhur me këtë çështje. Në këtë mënyrë, Dule shpreh qartë qëndrimin e partisë së tij, duke qenë në koherencë me vendimin e selisë rozë për të mos njohur zgjedhjet parlamentare, në rast se nuk do të ketë transparencë mbi votën. Duke iu përmbajtur kësaj linje, kreu i PBDNJ-së bëri me dije se partia e drejtuar prej tij po shqyrton qëndrimin e PS-së për të mos njohur procesin zgjedhor. Megjithatë, ai i mëshoi me forcë faktit se cilido qoftë qëndrimi, nuk do të legjitimonte një qeveri që vjen në pushtet me votë të tjetërsuar.

Qëndrimi

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, përjashtoi në mënyrë kategorike pjesëmarrjen e kësaj partie në qeverisje. “Këto janë pazare anadollake. Nuk janë në karakterin tonë. Nuk do t’i hyjmë tundimit të këtij lloj pazari”, - u shpreh prerazi Dule lidhur me këtë çështje. Nga ana tjetër, Dule bëri me dije lidhur me propozimin e tij si dhe arsyet se ku bazohet ai. “Kërkojmë një qeveri solide të dalë nga zgjedhje të ndershme dhe rregulla loje demokratike, rreptësisht të respektuara. Në këto kushte, këtyre sfidave vendi ynë mund t’u përgjigjet me sukses vetëm me një qeveri teknike, me agjentë të mirëpërcaktuar në obligime dhe në kohë, e cila krahas të tjerash do të garantojë edhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja, të cilat do të duhen më në fund edhe në vendin tonë të zhvillohen konform atyre standardeve të cilat respektohen në të gjitha vendet e qytetëruara”, - vlerësoi Dule. Sipas tij, koalicioni Berisha-Meta është një produkt i tjetërsuar i këtij procesi zgjedhor, i cili nuk mund ta çojë Shqipërinë drejt integrimit të BE-së. “PBDNJ-ja vlerëson se në produktin e tjetërsuar të këtij procesi zgjedhor nuk mund të investohet asnjë projekt qeverisës afatgjatë, aq më tepër integrues”, - u shpreh Dule. Po kështu kreu i PBDNJ-së propozoi për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor. “Ka kohë politike, pasi ajo çfarë ka munguar është vullneti politik. Nëse ekziston vullneti politik mbi interesat partiakë, këto ndryshime janë të realizueshme”, - vuri në dukje Dule sa i takon një momenti të tillë. Kësisoj, deri më tani deklaratat e ardhura nga kreu i kësaj partie konfirmojnë se PBDNJ-ja, e cila ka vetëm një mandat në legjislativin e ri, do të qëndrojë në kampin opozitar.

Miço: Mandati jo për kreun e PBDNJ-së

Situata paszgjedhore ka sjellë jo pak konflikte dhe tension brenda radhëve të Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut. Kjo për shkak të rezultatit që PBDNJ-ja mori në garën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kështu, janë jo të paktë eksponentët që shigjetojnë kreun e kësaj partie Vangjel Dule, duke e cilësuar si fajtorin kryesor për një rezultat të tillë. Për më tepër, ka nga ata eksponentë që vënë në dyshim dhe mandatin e tij për në kuvendin e ri. Sipas anëtarit të kryesisë së kësaj partie Thoma Miço, mandati që PBDNJ-ja ka marrë në Vlorë nuk mund t’i përkasë kreu Vangjel Dule, pasi realisht këto vota që mori partia në këtë qark ishin në emrin e një tjetër kandidati për deputet.

Goxhi: Aleanca me PS-në? Dule gaboi

Anëtari i kryesisë së Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Kristo Goxhi fajësoi kryetarin Dule për rreshtimin në krah të Partisë Socialiste, duke thënë se kjo lëvizje jo vetëm zvogëloi numrat e saj në Parlament, por ka tkurrur edhe elektoratin e kësaj partie. “Është gafa më e rëndë që ka bërë Vangjel Dule në mënyrë krejt personale, është një marrëdhënie e tij personale, ndoshta me Edi Ramën. Ne nuk jemi të majtë, ne nuk jemi as të djathtë, por thjesht kemi një identitet si parti centriste. Duhet të dilte më vete dhe e keqja më e vogël ishte të dilte me Partinë Demokratike, se ishte në pushtet me të dhe çuditërisht kishte arritje”, - u shpreh Goxhi. Sipas tij, tashmë Dule duhet të largohet.

Solis-Dule, kafe pune

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Leonard Solis mund të cilësohet tashmë si një nga figurat e kësaj partie që radhitet në krah të kreut Vangjel Dule. Kështu, pak ditë më parë Solis së bashku me disa eksponentë të kësaj partie, që njihen si mbështetës të Dules, kanë zhvilluar një takim, por këtë radhë jo në zyrat e selisë së PBDNJ-së, por në një nga baret e kryeqytetit, duke preferuar që në këtë rast të konsumojnë një kafe pune. Ndërkohë, edhe pse Solis nuk ka kërkuar dorëheqjen e Dules, ai nuk ka ngurruar të shigjetojë ashpër selinë rozë, e sidomos lidershipin e kësaj partie, pasi sipas tij zgjodhën një strategji që konsistonte në vjedhjen e votave të PBDNJ-së.

Takimi informal

Dule vizitë në zyrën e Ramës në PS

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe ai i PBDNJ-së Vangjel Dule zhvilluan dje një takim informal në selinë rozë. Kështu, kreu Dule zgjodhi që pas deklaratës së tij për shtyp të dhënë gjatë ditës së djeshme të qëndrojë në PS, e konkretisht në zyrën e kryetarit të kësaj partie Edi Rama. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se pjesë e bisedës ka qenë pikërisht situata paszgjedhore si dhe qëndrimet e mëtejshme të këtyre dy partive në të ardhmen. Gjatë fjalës së tij Dule ka bërë të qartë deri diku lidhur me një gjë të tillë. Sipas tij, PBDNJ-ja nuk do të pranojë të jetë pjesë e qeverisjes me PD-në, duke theksuar se do të vijojë të qëndrojë në koalicionin e majtë të kryesuar nga PS-ja. E si për ta theksuar këtë, ai u shpreh se “është koha që jo vetëm politikanët apo forcat politike, por edhe mediet, edhe qytetarët, edhe shoqëria civile duhet të ngrenë zërin e të ngrihen më këmbë, ‘demokraci o sot, o kurrë’. PBDNJ-ja është në procesin e analizimit të procesit zgjedhor në strukturat e saj”. Po sipas deklaratave të ardhura nga selia e PBDNJ-së, pritet që gjatë muajit të ardhshëm kjo parti të thërrasë kongresin e saj për t’i vënë vulën përfundimtare pozicionit që do të ketë ajo në parlamentin e ri. Ndërkohë që pas bisedës jo shumë të shkurtër me Ramën kreu i PDNJ-së është larguar nga selia rozë, por nuk mund të mos binte në sy tabela që ishte vendosur në makinën e tij, ku lexohej: “Shitet”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›