E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: I zhgënjyer nga qeverisja e demokratëve

Nga Alsat

Vangjel Dule shprehet i zhgënjyer nga qeverisja e demokratëve. Edhe pse partia e tij është pjesë e koalicionit qeveritar, ai thotë se në këtë mandat pati shumë pak ndryshime. Duke folur në “Ora 20” në ALSAT, ai e cilësoi si dy anë të së njëjtës medalje qeverisjen e socialistëve në periudhën 2001-2005 dhe këtë të demokratëve katër vitet e fundit.

“Pak ndryshime mund të vihen re në lidhje me mandatin e mëparshëm 2001-2005, sepse me periudha të tjera nuk ka shumë pika të përbashkëta kontakti, se ishin të natyrave të tjera problemet edhe shqetësimet. Nuk u arrit që t’i jepet shoqërisë ai temp zhvillimesh në politikë, në ekonomi, në aspektin social, që do të gjeneronte energji dhe do të sillte një situatë krejt të ndryshme”, - tha Dule.

Ndoshta për këtë arsye, por edhe për shkak të sistemit të ri zgjedhor që do të aplikohet në vend, Vangjel Dule nuk përjashton largimin nga koalicioni i djathtë dhe bashkimin në një koalicion parazgjedhor me të majtët, por gjithsesi ai thekson se ky vendim do të merret nga strukturat e partisë.

“Nuk mundem të përjashtoj dhe të paragjykoj vendimet e strukturave drejtuese të PBDNJ. Më datë 9 maj do të zhvillojmë kongresin që do të marrë vendimet përkatëse, do prezantoj vendimin politik se si do kandidoj”, - tha Dule.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›