E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule: Në koalicion me PS, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit

Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule deklaron nga Korça se koalicioni me PS do të jetë para dhe pas zgjedhor pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kreu i PBDNJ ka hequr çdo hamendësim për një kalim të mundshëm të partisë që ai drejton djathtas në rast se zgjedhjet parlamentare fitohen nga mazhoranca aktuale, madje ai ka qenë i prerë në këtë drejtim. Vangjel Dule ka prezantuar gjatë paradites së djeshme kandidaturat e listës zyrtare të PBDNJ për qarkun e Korçës. Në 5 qarqe ku kjo parti do të dalë me kandidaturat e saj i pari në listë do të jetë vetë kryetari i saj, Dule. Ndërkaq në qarkun e Korçës, pas tij vjen Thanas Poçi një figurë e njohur e kësaj partie dhe përfaqësues i shoqatës së vllahëve teksa i treti në këtë listë është Andrea Miço. Dule, nga qyteti i Korçës ka deklaruar se partia që ai drejton ka vendosur të lidhë urat e bashkëpunimit me të majtën si një forcë politike serioze dhe që po lufton për ndryshimin e Shqipërisë. Ai nuk ka preferuar të komentojë qeverisjen ku ka bërë pjesë deri pak ditë më parë, ndërsa ka shpallur një qëndrim të prerë për këtë koalicion të ri. PBDNJ do të jete pjesë e këtij koalicioni  me PS para dhe pas zgjedhjeve pavarësisht nga rezultati i tyre, çka do të thotë se do të mbyllim së bashku mandatin katër vjeçar që është në start. Përsa i përket çështjes së shumëpërfolur Bollano ai ka vlerësuar këtë figurë të rëndësishme siç e ka cilësuar ai kreun e bashkisë së Himarës dhe do ta ketë përherë në krah. Sipas Dules, ndaj Bollanos është vepruar në mënyrë të padrejtë duke organizuar një gjykim që nuk është ai i drejtësisë shqiptare por i segmenteve të caktuara  të politikës në këtë  vend. Kreu i PBDNJ ka pretendime në qarkun e Korçës, ndërsa e sheh këtë forcë politike si të pozicionuar shumë mirë në zgjedhjet e 28 qershorit ku synimet janë të mëdha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›