Ngjela: Koalicion qeveritar me të djathtët? Po, pas zgjedhjeve

Lideri i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i ftuar mbrëmë në një emision televiziv deklaroi se ai dhe grupi i partisë së tij Ligj dhe Drejtësi kanë vendosur të futen të vetëm në garën elektorale në zgjedhjet e 28 qershorit, por jo duke e parë si një aventurë. Sondazhet, duke mos përjashtuar asnjërin, nxjerrin që nuk mund të ketë një parti fituese me 71 deputetë, atëherë kjo më dha besimin se me një parti të re dhe me fond politik, me disa figura të mijat, mund të krijoj efekt force në rast se marr 4-5 deputetë që mund të plotësojnë maxhorancën.
Pra edhe me një grup të vogël mund të luash fort, u shpreh avokat Ngjela, duke shtuar se është dhe një nga njerëzit më të preferuar për shqiptarët. Unë renditem i treti mbas Bamir Topit dhe Edi Ramës. Në vijim, ai ka preferuar të mos reklamojë shumë armë të kësaj fushate, por shprehu sigurinë se futja i vetëm në këto zgjedhje nuk është një aventurë për të. Unë kam fondin tim publik dhe këtë ja kam tërhequr Partisë Demokratike. Zgjedhjet do ta tregojnë sa e kam fondin dhe unë kam thënë që kam hyrë të provoj sa e kam fondin tim. Kam një program që e kam shkruar prej 25 vjetesh. Jam njeri i njohur dhe nuk kam pse të shpenzoj miliona. Do ju shpjegoj njerëzve programin tim. Unë di çkam bërë për politikën shqiptare por nuk di të them pse do votojnë njerëzit për mua, vijoi ish deputeti demokrat. Ai përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me PD derisa në krye të këtij fraksioni të jetë Sali Berisha. Nuk mund të kisha më asnjë lloj bashkëpunimi me PD me këtë lidership, sepse nëse do kisha bashkëpunim nuk kisha pse të ndahesha. Politika është lojë dinjiteti dhe jo lojë futbolli, nënvizoi Ngjela, duke shprehur sigurinë se do arrijë të marrë aq deputetë sa ka planifikuar. Këtu flitet për një fond të caktuar deputetësh që unë besoj se e marr, sepse përndryshe nuk do i hyja kësaj loje, shtoi avokati. Ndërsa për pronat, Ngjela u shpreh se është kundër 7501 dhe do ta amendonte si ligj. Për kthimin e pronave është e nevojshme krijimi i një pakete ligjore. Dhe unë mendoj se jam në gjendje që brenda 4 muajve jam në gjendje që të formoj një ekip teknik që të amendojë 7501 dhe të krijojë një paketë ligjore, shtoi Ngjela. Sipas Ngjelës, në Shqipëri nuk ka vetëm dy grupe votuesish por tre, të majtët të djathtët dhe ata të pavendosurit, që ai mendon se këta të fundit në Shqipëri janë rreth 40%. Ndërsa në lidhje me ardhjen e deputetit Preç Zogaj në repartin e tij politik, Ngjela u shpreh i kënaqur dhe e quajti si një veprim të zgjuar dhe të pjekur të Zogajt. Ngjela tha se mos shpërndarja e kartave para zgjedhjeve do të rrezikonte dhe do ti manipulonte këto zgjedhje. Në përfundim të fjalës së tij Ngjela tha se ai është i gatshëm të bëjë koalicion qeveritar me të djathtët në qoftë se këta të fundit do ja kërkonin mbas përfundimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.