E Diel, 1 Nëntor 2026

12 vite pa ujë të pijshëm, protestojnë banorët e lagjes nr 4 në Sarandë

Një përfaqësi banorësh të Bllokut të Banesave në Lagjen 4, mbi ish Parkun e automjeteve në Sarandë, protestuan dje para Drejtorisë së Ujërave e Kanalizimeve për shkak se kanë 12  vite që banesat e tyre nuk furnizohen me ujë të pijshëm. Jemi të detyruar që ujin ta blejmë nga autobotet, që e sjellin atë çdo ditë me një çmim të kripur, 40 mijë lekë për çdo makinë të mbushur, pohon Shevqet Basho. Ndërsa një tjetër banore shprehet se megjithëse banojnë prej 12 vitesh në këtë zonë, nuk kanë parë as një ditë çezmën që të rrjedhë ujë në shtëpitë e tyre. Ata të gjithë janë të gatshëm të tregojnë hallin e përbashkët, duke protestuar paqësisht pranë Ujësjellësit. Banorët duan të dijen se çfarë po ndodh me këtë problem. Sipas tyre, pas kërkesave të vazhdueshme më në fund vitin e kaluar, tubacioni që do të sille ujin e pijshëm u shtri në të gjithë lagjen, por asnjë ditë nuk u lag nga uji. Banorët nuk e dinë as se si janë lidhur tubacionet. Megjithëse ata kanë dhënë një shumë parash nga ana e tyre për të sjellë ujin në bllokun e banesave prej më se dymbëdhjetë vjetësh, ata nuk kanë ujë. Ky realitet nuk shpjegohet për mungesën e ujit, kur tubacioni është shtruar dhe ujësjellësi është ndërtuar. Banorët e këtij blloku ndjehen të diskriminuar në qytetin e tyre, teksa shpenzojnë një pjesë të mirë të të ardhurave të tyre për blerjen e ujit të pijshëm dhe për plotësimin  e nevojave me ujë. Edhe dje, ata janë përballur me heshtjen indiferente të Ujësjellësit. Banorët e këtij blloku pallatesh, edhe pse nuk furnizohen me ujë të pijshëm prej 12 vitesh, paguajnë faturat që u vijnë në fund të çdo muaji për ujin e munguar, për rrjetin e ujësjellësit të ndërtuar prej vitesh, por që në tubacionet nuk ka rrjedhur asnjë ditë uji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›