E Hënë, 2 Nëntor 2026

Parlamenti i dyzet “hajdutëve”

22/05/2005  1.Tashmë Mega-Dushku është një realitet. Sikundër u shpreh një nga politikanët që e kundërshtuan më tepër këtë lojë, parlamenti që sapo u shpërnda nisi dhe përfundoi me një histori Dushku. Madje, në muajt e parë të ekzistencës së tij, parlamenti u etiketua edhe me apelativin humoristik “Parlamenti i Dushkut”. Por ndërsa Dushku i vogël trafikoi në Kuvend nëntë “klandestinë”, Mega-Dushku pritet të prodhojë rreth tridhjetë të tillë. Plot tridhjetë deputetë, të cilët në kushtet e një loje të ndershme elektorale nuk kishin pothuajse asnjë shans për t’ju gëzuar karriges parlamentare dhe që nëpërmjet shtrembërimit të vullnetit politik të shqiptarëve, nuk bëjnë gjë tjetër veçse grabisin vendet e LSI-së, LZHK-së dhe, në një masë më të vogël, vendet e dy partive të mëdha (ndonëse për hir të së vërtetës këto të fundit nuk duhen quajtur vende të vjedhura, por të dhuruara).

2.Pyetja që lind në çdo mendje shqiptari, që sado pak i interesojnë zhvillimet politike, sociale dhe integruese të vendit, është: “A do t’i njohin këto zgjedhje ndërkombëtarët?”. Partnerët euroatlantikë janë shprehur se presin nga shqiptarët zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat i konsiderojnë parakusht për çeljen e bisedimeve. Ndërsa me një vullnet të mirë nga klasa politike, kushti i parë edhe mund të arrihet, plotësimi i kushtit të dytë ngjan i paracaktuar të dështojë. Ndërsa në Dushkun e vogël, socialistët kishin si objektiv “transferimin” e disa mijëra votave tek aleatët, që për pak mbetën për vjeshtë, në Dushkun e madh votat socialiste në krejt vendin mund të transferohen tek aleatët deri dje të pashpresë. A do të quhet i ndershëm një rezultat ku socialistët dhe demokratët fitojnë të gjithë vendet e maxhoritarit dhe shënojnë një shifër minimale proporcionali? Apo ku LSI-ja dhe LZHK-ja fitojnë përqindje më të ulëta se partizat parazite në të majtë dhe në të djathtë të spektrit. Edhe për një shqiptar të ndershëm, përgjigjja do të ishte “Jo, një rezultat i tillë nuk mund të njihet”. Ndërkombëtarët në një farë mase do të vëzhgojnë dhe gjykojnë një çorbë të gatuar edhe me ndihmën e tyre. Kur disa politikanë dhe analistë politikë shprehën shqetësimin e parë për Mega-Dushkun, pjesa më e madhe e ndërkombëtare heshti. Edhe kur tre nga katër forcat e mëdha politike të vendit propozuan rrugëzgjidhjen e vetme për shmangien e Mega-Dushkut, ata përsëri heshtën. Me ç’të drejtë morale dhe politike do të japin ata verdiktin për njohjen ose jo të rezultatit të zgjedhjeve? Roli i ndërkombëtarëve në katrahurën zgjedhore që po projektohet përkufizohet me titullin e librit të famshëm të Kroninit, “Kur yjet rrijnë dhe vështrojnë”.

3.Duke mos pranuar amendamentin anti-Dushk, socialistët i kanë bërë shërbimin e fundit të keq qytetarëve shqiptarë. I kanë vendosur pengesën e fundit të madhe në rrugën e procesit integrues. Justifikimi i “mbrojtjes së vazhdimësisë nga gogoli Berisha, nuk pi më ujë, për faktin e thjeshtë se Berisha përfundimisht ka pushuar së qeni gogol”. Përkundrazi, janë vetë socialistët, që po vendosin pa filluar procesi zgjedhor një hije të madhe dyshimi mbi zgjedhjet që do të ishin testi ynë në rrugën e integrimit. Së dyti, nëpërmjet Mega-Dushkut, socialistët i lanë në derë zgjedhësve edhe për katër vjet të tjerë një tufë parazitësh politikë, të cilët elektorati ka kohë që nuk i voton. Rezultati i këtij pazari elektoral është i dukshëm. Ai shtrembëron vullnetin e zgjedhësve dhe do të shënojë pa dyshim komprometimin e procesit zgjedhor. Gjithsecili është në gjendje të kuptojë domethënien e kësaj fraze: vonesë e proceseve integruese dhe ndoshta stopim i tyre për një kohë të pacaktuar. Ndërsa parlamenti i prodhuar nga këto zgjedhje do të mund të damkosej për analogji më apelativin “parlamenti i dyzet hajdutëve”.

4.Ndonëse rrugëzgjidhja duket e pamundur, asnjëherë nuk është vonë për të bërë punë të mbara. Një mesazh i qartë iu dha politikanëve nga Presidenti i vendit në seancën e fundit kuvendore. Në ndryshim nga homologu i vet, katër vite të shkuara, i cili hezitoi t’i kundërvihej lojës me të pavarurit, Presidenti aktual guxoi. Por, ai duhet të shtyhet edhe më tej në këtë guxim, duke shfrytëzuar të drejtën si i vetmi institucion legjitim në këtë periudhë politike tranzitore. Ndoshta një thirrje in extremis e Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar amendamentin e rrëzuar anti-Dushk. Në kaq pak vite pluralizëm, Shqipëria ka njohur edhe qeveri stabiliteti dhe qeveri pajtimi kombëtar. Ndoshta ka ardhur koha e një pakti real kombëtar, ku partitë të lënë mënjanë lojën e pushtetit dhe të luajnë rolin e institucioneve përgjegjëse për të mbarëqeverisur këtë vend. Shqiptarët do të ishin dakord edhe me shtyrjen e datës së zgjedhjeve (madje, edhe sikur të cënohet Kushtetuta, kodi zgjedhor apo ndonjë tjetër ligj), mjafton që të prodhohej një model demokratik i shtetit ligjor. Sepse nuk mund të krijohet një shtet i drejtë mbi zgjedhje të manipuluara. Grekët e lashtë kanë përcaktuar se demokracia funksionon vetëm e bazuar mbi votën e lirë të qytetarëve të lirë. Këtë aksiomë deri më sot nuk ka mundur ta kundërshtojë askush.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›