Ultranacionalisti grel Harallambros Karathanos viziton Korçën
22/05/2005 Një delegacion, i një bashkie të vogël nga shteti grek, ditën e shtunë, kryen një vizitë në qytetin juglindor të Korçës. Krahas drejtuesëve të Bashkisë së Kitizisit, qytet ky pranë Athinës, i pranishëm në cilësinë e përfaqësuesit të një shoqate ishte edhe Harallambros Karathanos, i njohur si ultranacionalist grek. Vizitën e parë ky delegacion e kreu në shkollën greke “Omiros”, e porsahapur në këtë qytet, duke vijuar me vizita në objekte të kultit ortodoks si dhe Muzeumin Mesjetar. Krerët e Bashkisë, Giorgos Padhopulos, Kristos Kalos dhe Harallambros Karathanos, vazhduan axhendën e tyre në Universitetin “Fan Noli” dhe në takimet me dy përfaqësues të pushtetit vendor. Kreu i kësaj Bashkie, Kristo Kalos, tha në një takim, që zhvilloi me kryebashkiakun e Korçës, Robert Damo, se qëllimi i vizitës së tyre në këtë qytet ishte ndërtimi i një biblioteke në shkollën greke “Omiros”, por interesat nuk janë vetëm këtu, midis dy qyteteve tona ka mundësi bashkëpunimi. Damo, nga ana e tij tha se mundësitë ekzistojnë, pasi me një fond të dhënë nga ambasada greke në Tiranë, përpara dy vjetëve u ndërtuan trotuaret e këtij qyteti, ndërkohë që ky qytet ka ende nevojë për investime në infrastrukturë. Delegacioni grek kreu një vizitë edhe në Qarkun e Korçës. Karathanos nga ana e tij u prezantua si përfaqësues i pakicave në Greqi, që, sipas tij, në këtë organizatë joqeveritare ka edhe shumë qytetarë korçarë. Karathanos, përveç prezencës së tij si pjesëtarë i këtij delegacioni, nuk shprehu asnjë pikëpamje apo deklaratë tjetër. V. Hasani