E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ftesa e mbrapshtë e Koshtunicës

22/05/2005  Po bëhet gjithnjë dhe më i sigurtë një takim i përfolur prej ditësh ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi dhe Kryeministrit të Serbisë, Vojsllav Koshtunica. Madje, Kryeministri serb ka bërë edhe një ftesë për homologun e tij kosovar. Por, një gjë duket paradoksale në ftesën e Koshtunicës, formale në dukje, por shumë e rëndësishme në përmbajtje, përveç datës ai ka përcaktuar Prizrenin si vendin e takimit. Mjafton ky fakt për të krijuar bindjen se, nëse takimi do të ndodhë, kurdo dhe kudo që të ndodhë, gjëja më e rëndësishme e tij do të jetë formaliteti. Pavarësisht se shpesh herë formaliteti në politikë është i rëndësishëm dhe s’mund t’i shmangesh, ai nuk mund të jetë i pranueshëm kurrsesi në kushte të tilla kaq nënvlerësuese. Nuk është në zakonin as të shqiptarëve, por as dhe në atë të serbëve që të ftosh mikun, ose bashkëbiseduesin, në shtëpinë e tij. Koshtunica mund të ftojë këdo që të dojë në Beograd, apo në çdo vend tjetër të Serbisë, ose mund të propozojë edhe takime në vende të tjera të globit, por nuk është aspak normale që të ftohet Kryeministri i Kosovës për një takim në një qytet të Kosovës. Natyrisht që, Bajram Kosumi nuk duhet ta pranojë një ftesë të tillë, pavarësisht se në parim është shprehur pro një takimi me homologun e tij serb - për të diskutuar çështje teknike siç thuhet - dhe se në Bruksel ftesa e Koshtunicës është mirëpritur (këtu nënkuptohet thjesht ftesa pa detaje). Ftesa e mbrapshtë e Koshtunicës, e bën të detyrueshme që ndërmjet tij dhe Kosumit të fillojë loja e “tërheqjes së litarit” që në formalitetin numër një të takimit, vendin.

Faktori ndërkombëtar ka kohë që po bën presion për takime homologësh të Kosovës dhe Serbisë. Tani për tani nuk dihet se kujt i intereson më shumë një takim formal, por një gjë dihet mirë se ai nuk i intereson direkt as serbëve dhe as shqiptarëve, sidomos këtyre të fundit hiç e hiç. Duket sheshit se i gjithë takimi, i cili ka gjasa më shumë të ndodhë në një vend neutral, pra as në Kosovë dhe as në Serbi, do t’i ngjajë fillimit, pra do jetë thjesht një “tërheqje litari” ndërmjet Kosumit dhe Koshtunicës, përkatësisht ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për të përfituar mbështetjen e faktorit ndërkombëtar në opsionet e tyre politike. Është shumë e qartë që takimi ndërmjet dy kryeministrave, nëse do të ndodhë, do të shërbejë sa për t’i bërë qejfin dikujt, e jo vetëm qejfin thjesht, por për t’i rregulluar apo pasuruar biografinë dikujt në Evropë, që e ka marrë përsipër një takim të tillë, për ta prezantuar si prologun e fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës.

Normalisht çështjet teknike, nuk do të duhej të ishin objekt takimi për kryeministrat, ndërkohë që problemi nuk ka ngecur për shkak të rangut më të ulët të takimeve të zhvilluara deri më tani, apo ndonjë gjëje të krahasueshme më këtë, por për shkak të vullnetit të munguar në Beograd. Pra, çështjet teknike janë thjesht sebepi, përndryshe kryeministrat nuk do të kishin objekt se për çka të flisnin, sepse “atë” është e kotë ta përmendin, “atë” më të përmendshmen sot, pra statusin e Kosovës. Kjo do të thotë që ata të takohen për të mos biseduar realisht, pra thjesht për t’u parë që u takuan (shkurt për të konkretizuar gatishmëritë përkatëse për t’u takuar dhe për të mos u marrë vesh për asgjë të rëndësishme). Në këto rrethana, ajo çka do të mbetet për t’u komentuar më pas do të jetë ana e jashtme e takimit, mënyra se si kryeministrat do t’i japin dorën njëri-tjetrit, si do t’i buzëqeshin njëri–tjetrit dhe më pas një vlerësim ndërkombëtar se “takimi ishte një fillim i mire… etj.”.

Takimi i imponuar ndërmjet dy kryeministrave, tregon se as shqiptarët dhe as serbët nuk i kanë gjërat në dorë kur bëhet fjalë për pozitën e politike të Kosovës (kjo për shkak të mendimeve të kundërta që kanë), pra që është dikush tjetër që dirigjon. Është ai që e dinë të gjithë, pra faktori ndërkombëtar. Jo më kot, të gjitha lëvizjet, të gjitha hapat dhe kalkulimet që po bëhen, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, janë përqëndruar aty, te sigurimi i mbështetjes së këtij faktori, pa të cilin asnjëra palë nuk do t’i arrinte synimet. Dialogu Prishtinë-Beograd është një nga kushtet e vendosura nga ky faktor për të filluar bisedimet për statusin final të Kosovës. Kjo gjë mund të ishte mbase i vetmi argument që mund të justifikonte pranimin e një takimi formal nga ana e Kryeministrit kosovar diku jashtë Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së fundi, nëpërmjet ndihmëssekretarit të Shtetit për çështje politike, Nikolas Bërns, kanë paraqitur disa parime, mbi të cilat duhet të bazohet zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës, por pa e paragjykuar se cili do të jetë ai. Ajo çka është me rëndësi këtu ka të bëjë me faktin se Presidenti amerikan, Bush, e ka shpallur si një nga përparësitë e tij rolin udhëheqës të SHBA-së për stabilizimin e Ballkanit, rajon në të cilin çështja e Kosovës konsiderohet si më e rëndësishmja. Amerikanët kanë menduar edhe hapat që do të ndiqen deri në fillimin e negociatave për statusin e Kosovës. Gjatë kësaj vere, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do të caktojë një zyrtar të lartë evropian, që, sipas të gjitha gjasave, do të jetë norvegjezi Kai Aide, i cili do të kryejë një vlerësim për të parë nëse është koha e përshtatshme për Kosovën që të përfshihet në bisedime për statusin përfundimtar. Nëse ky vlerësim do të jetë pozitiv, SHBA do t'i kërkojnë Kofi Ananit të caktojë një zyrtar të lartë evropian në vjeshtë, i ndihmuar ky edhe nga një diplomat i lartë amerikan që do të caktohet nga Presidenti Bush për të kryer bisedime për statusin përfundimtar. Kjo do të thotë së amerikanët do të jenë direkt të angazhuar në këtë proces.

***

Koshtunica i ka kaluar caqet e propozimit të një takimi që do të diskutonte çështje teknike dhe ka shprehur vullnetin e popullit serb, në formën më banale të mundshme, kur ka caktuar Prizrenin si vendin e takimit, çka nënkupton se Kosova vlerësohet prej tij si pjesë e Serbisë. Për këtë arsye, por jo vetëm për këtë, ai nuk do të jetë i mirëpritur në Kosovë. Një gjë e tillë nuk duhet përjashtuar në të ardhmen, por ama vetëm atëherë kur Koshtunica, apo kushdoqoftë në krye të politikës serbe, nuk do ta konsiderojë më Kosovën si vendin e tij, por si një vend mik (të paktën deri sa Evropa të konsiderohet e të gjithë evropianëve). Jo vetëm Kosumi, por të gjithë faktorët shqiptarë duhet të bëjnë kujdes, po luhet finalja e madhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›