E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Opozita ka prekur fundin e moralit politik

Deklarata
Kryeparlamentarja thotë se Partia Socialiste po manipulon me një fatkeqësi të tillë natyrore

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje nga Shkodra se opozita ka prekur fundin e moralit politik, me përdorimin politik të fatkeqësisë natyrore, që iu ndodhi banorëve të kësaj zone. Në takimin me banorët e fshatit Shirgj të Komunës së Dajçit, Topalli theksoi se një ngjarje e tillë e rëndë nuk mund të përdorej për politikë. “është fundi i moralit politik të manipulosh me një fatkeqësi të tillë natyrore”, deklaroi Topalli nga Dajçi. Duke folur për seancën parlamentare, e cila do të mbahet sot pasdite për përmbytjen e ndodhur në zonën e Shkodrës, Topalli theksoi se ftesa, që ajo i bëri opozitës për të marrë pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme, ishte e sinqertë.
“Kjo seancë ishte ftesë e sinqertë, në bazë të kërkesës së deputetëve të opozitës, për seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, Topalli.
Sipas saj, në seancën e sotme do të flitet për investimet, në termat e rishikimit të projekteve sipas linjave dhe ministrive të caktuara, ku Ministria e Bujqësisë, Ministria e Transportit dhe ministri të tjera do të kenë rol të jashtëzakonshëm në zbatimin e projekteve në të ardhmen. Deputetja e Shkodrës, Topalli, deklaroi gjithashtu se seanca të tilla do të mbahen në mënyrë të herëpashershme, sepse ky është premtimi i qeverisë dhe deputetëve të kësaj zone elektorale. Po dje, Topalli bashkë me autoritetet e komunës, ndoqi shpërndarjen e ndihmave me autokolonat e ushtrisë, me ushqime e pajisje shtëpiake për banorët e shtëpive të përmbytura.
Në këtë komunë u shpërndanë dje 70 tonë ushqime, ujë, batanije si dhe ushqim për gjënë e gjallë. Gjatë bisedës me banorët e zonës, Topalli theksoi se situata po shkonte drejt normalizimit dhe i siguroi banorët se të gjitha strukturat e shtetit, ashtu si deri më tani, do të jenë çdo moment pranë banorëve. Sipas saj, tashmë qeveria po punon me terma afatgjatë, në projekte të mëdha, jo vetëm në rehabilitimin e zonave që kanë nevojë emergjente, por dhe për projekte të mëdha zhvillimi për të gjithë këtë zonë. Nga ana e tyre, banorët i shprehën Kryetares së Kuvendit mirënjohjen për angazhimin dhe përgjegjësinë maksimale të shtetit në ndihmë dhe në mbështetje të familjeve të tyre. Sipas tyre, shteti si asnjëherë më parë, u çua në këmbë për ta.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›