E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Rama merr profesionin e meteorologut

Fier

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, njëkohësisht kreu i deputetëve të Qarkut të Fierit, ka komentuar hyrjen me kusht të opozitës në Parlament. Olldashi ka rezervuar për kreun e opozitës, Edi Ramën, një “breshëri” deklaratash lidhur me “profesionin” e ri që, sipas Olldashit, ka përfshirë së fundmi Ramën. “Edi Rama, me ngjarjen e ndodhur në Shkodër, tregoi se po i futet një tendence të re. Ai po tregon se profesioni i ardhshëm i tij do të jetë pikërisht specialist i shërbimit meteorolog. Edi Rama, edhe një herë tregoi se është shumë larg politikës dhe atë që ndodh në vendin tonë. Po përpiqet që së bashku me disa eksponentë të partisë private që ka krijuar, të mund të ndikojë negativisht në zhvillimet politike të vendit”, ka thënë Olldashi. Në deklaratën e tij nga Fieri, Sokol Olldashi ka komentuar edhe deklaratën e deputetit të Shkodrës, Ilir Beqaj, i cili në debatin televiziv në “Top Story” u shpreh për futjen e PS-së në Parlament nëse zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme. Sipas Olldashit, “Beqja bëri një deklaratë të gënjeshtërt. Ajo u duk që në hapat e parë të saj. Unë personalisht nuk e besova dhe atë qëndrim mbaj edhe sot”. Këtë deklaratë të shkurtër, Sokol Olldashi e ka kryer gjatë festës së 19-vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike dega Fier. Po ashtu, Olldashi u shpreh kundër çdo hamendësimi të krijuar për përmbytjet në Veri të vendit. Ai i ka qëndruar tezës së parë se përmbytja ishte një katastrofë natyrore, që u shkaktua nga reshjet e shiut, ato të dëborës të ndodhura njëkohësisht me baticën detare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›