Zmbrapset uji, banorët kthehen nëpër banesa
Situata
Ndërkohë që uji po “zmbrapset”, banorët e zonës së Nënshkodrës kanë nisur të kthehen në banesat tyre, së bashku me bagëtitë.
Tashmë rrugët e Nënshkodrës, që pak ditë më parë ishin të mbushura me ujë, janë “pushtuar” nga banorët e larguar nga frika e përmbytjes. Dje, kalimi me makinë ka qenë thuajse i pamundur, por jo më nga uji, por për turmat e bagëtive dhe njerëzve që ecin pas tyre. Një prej banorëve, që po kthehet për herë të parë në shtëpi që pas përmbytjeve, është Pjetër Darragjati. Rrugën e bën në këmbë, pasi është duke rrugëtuar bashkë me lopët, të cilat i ka larguar nga frika e përmbytjes. “Banoj në zonën e Darragjatit, që ndodhet buzë Bunës, pas pjesës ku ajo bashkohet me Drinin. Këtu nisën përmbytjet dhe këtu pasojat kanë qenë më të mëdha. Më datën 3 janar, erdhën më thanë policët se duhet të ikja nga shtëpia së bashku me bagëtitë, pasi uji do të arrijë mbi një metër thellësi. Nuk e besova, se ne kemi pasur ujë gjithmonë në këto anë. Por më datën 4 janar në darkë, niveli i ujit filloi të rritej me shpejtësi. Na morën makinat e ushtrisë dhe na nxorën nga fshati, ndërsa lopët i kam nxjerrë me një lundër të madhe të ushtrisë. Kur ikëm nga shtëpitë dhe shikonim në televizor se çfarë po bëhej nuk arrija të flija, mendoja se nuk do të kthehesha dot më kurrë në shtëpinë time. Mos e provoftë askush këtë që ndodhi me ne, sepse aty kemi gjithë pasurinë, gjithë jetën. Pastaj më datën 6-7 janar pamë se uji arriti në 2 metra dhe në fshat mund të futeshe vetëm më mjete lundruese. Kur shihja atë skenë, mendoja se gjithçka kishte marrë fund. Kam shkuar me lundër në shtëpi të shikoja se çfarë po ndodhte, por uji brenda kishte shkatërruar muret dhe gjithçka. Kam qëndruar një natë në papafingo, pa e ditur njeri. Më duket sikur kam qëndruar në një traget mbi det, ishte tmerr. Pastaj që nga data 9 janar nuk kam shkuar për të parë shtëpinë. Gjatë kësaj kohe kam qëndruar tek një i afërmi im në fshatin Bërdicë e Sipërme. Sot është dita e parë që po shkoj në shtëpi me familjen dhe bagëtitë dhe shpresoj që kjo situatë të mos përsëritet më”, rrëfen Pjetri. Ndërkohë ajo që banorët konstatojnë në banesat e tyre është dëmi i madh që uji ka shkaktuar në banesa dhe në ushqimin e bagëtive. Sipas tyre, tashmë është e nevojshme që ekspertët të zbresin në terren, që të shohin dëmet dhe të nisë dëmshpërblimi për dëmet që janë bërë.
#