E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: Të hapen shkolla për minoritetin

Vangjel Dule dhe Vasil Bollano ngritën dje zërin për të drejtat e minoriteteve në Shqipëri. Në deklarimet e tyre publike, ata bënë me përgjegjësi shtetin shqiptar për faktin se nuk ka bërë aq sa duhet në këtë drejtim. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, konstatoi se shteti shqiptar nuk ka ratifikuar ende një prej konventave më të rëndësishme, kartën ndërkombëtare për gjuhët minoritare dhe rajonale. "Ajo jo vetëm nuk është nënshkruar ende, por nuk ka ndonjë informaçion për ndonjë zhvillim të mundshëm", u shpreh Dule. Ai gjeti rastin të ngrejë shqetësimin për çështjen e arsimimit të pjesëtarëve të minoritetit kudo që ata jetojnë. "Në numër të konsiderueshëm dhe historikisht", insistoi Dule. Sakaq, ai konstatoi se nga ana e qeveritarëve kthehet përgjigjja se janë garantuar të gjitha të drejtat si sasiore dhe cilësore. "Komisioni i Bashkimit Evropian, duke vënë në dukje hapat pozitive konstaton këto mangësi që me zë të lartë ngre Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut", theksoi Dule. I pranishëm në të njëjtën tryezë, ka shfrytëzuar rastin të komunikojë me median edhe kreu i Bashkisë së Himarës, njëkohësisht kryetar i organizatës "Omonia", Vasil Bollano. Duke iu përgjigjur interesit të medias për letrën drejtuar Parlamentit grek, ai theksoi se "është kërkuar ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe në mënyrë të padiskutueshme ecuria e integrimit evropian të Shqipërisë". Por njëkohësisht, ngulmoi ai, edhe Shqipëria duhet të përmbushë angazhimet e saj. Sa i takon çështjes së Vorio-Epirit, Bollano tha se ajo është historie, ndërsa tani flasim për ato që janë të shkruara. "Unë jam përfaqësues i minoritetit grek dhe ngre probleme të cilat do të na çojnë në një Evropë dhe në një integrim të plotë të shoqërisë sonë me gjithë problematikat që kemi", u shpreh Bollano. Reagimet e dy përfaqësuesve të minoritetit në Shqipëri, vijnë pak ditë pas publikimit në media të një letre të "Omonia"-s për Parlamentin dhe Komisionin e Politikës së Jashtme në Greqi. Në këtë letër u tha se ishin vendosur shtatë kushte për shtetin shqiptar si këmbim të firmosjes nga Greqia të Marrëveshjes së Stabilizim- Asoiimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Shkresa e firmosur nga kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, theksonte se një nga kushtet kishte të bënte me dhënien e autonomisë për Vorio-Epirin. "Të njihen zyrtarisht si zona të minoritetit ato zona të cilat pala shqiptare nuk i njeh të tilla si për shembull Saranda, Gjirokastra, Himara, Delvina, Korça si edhe 99 fshatra përreth tyre", thuhet në memorandum. Minoriteti grek kërkon në pikën pasardhëse, autonominë për të gjithë këtë rajon, të cilësuar prej saj si Vorio-Epiri. Kryeministri Sali Berisha duke iu përgjigjur deklaratave të fundit të Vasil Bollanos u shpreh se "Shteti grek nuk do të dëgjojë ‘klithmat‘ e ekstremistëve". Kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se do të respektohen të drejtat e minoritetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›