E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria t‘i kthehet punës dhe të lërë retorikat

Lëvizja G99 shprehu dje shqetësim për faktin se Shqipëria vazhdon të mbetet një vend problematik për respektimin dhe promovimin e të drejtave themelore njerëzore. Aktivisti Genci Kojdheli tha se sipas raporteve të BE-së, OSBE-së, e Departamentit Amerikan të Shtetit, vendi ynë qëndron në nivelet më të ulëta të kontinentit në lidhje me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Sipas tij, vrasjet për gjakmarrje vazhdojnë të jenë pjesë e pandarë e realitetit shqiptar, dhe rreth 1000 familje janë të ngujuara prej frikës së hakmarrjes. Sakaq, episodet e dhunës në familje janë gati të përditshme dhe sipas OSBE-së mbeten pak të hetuara dhe edhe më pak të ndëshkuara. "Gjendja e grave në zonat rurale jo vetëm s‘është përmirësuar, por ka shënuar hapa prapa. Aksidentet rrugore çdo vit marrin me qindra jetë shqiptarësh, dhe situata përkeqësohet nga viti në vit", u shpreh ai. G99 konstaton se në shumë raste, strukturat e Policisë së Shtetit janë akuzuar për ushtrim dhune ndaj qytetarëve, ndërsa marrin guximin të ngrenë padi penale edhe ndaj Avokatit të Shtetit, kur ky institucion heton mbi rastet e dhunës. G99 i bën thirrje qeverisë shqiptare të lërë mënjanë retorikat boshe dhe fushatat pompoze që promovojnë arritje të paqena, e t‘i kthehet punës në këto muaj që i kanë mbetur nga ky mandat, në mënyrë që të drejtat themelore të njeriut të mos mbeten një luks për qytetarët shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›