E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Kodi shkel Kushtetutën, sepse nuk garanton barazi ligjore

Avokati Spartak Ngjela, deputet tashmë i pavarur i Parlamentit shqiptar, i cili është një nga juristët më të njohur në vend, ka deklaruar dje se Kodi Zgjedhor, i miratuar nga Kuvendi, dhe i kthyer më pas nga Presidenti për rishqyrtim, bie ndesh në mënyrë të hapur me ligjin themeltar të shtetit-Kushtetutën. Ngjela, duke folur në një aktivitet, i organizuar nga Instituti Liberal, theksoi me forcë se deformimi i sistemit është bërë nga dy partitë e mëdha, në kundërshtim me nenin e Kushtetutës që garanton barazi ligjore për të gjithë. Sipas deputetit të përjashtuar nga PD-ja, dy partitë e mëdha që avokati i konsideron të qendrës së majtë kanë vendosur një parim në Kodin Zgjedhor, i cili favorizon vetëm partitë që hyjnë në koalicione, ndërkohë që penalizon forcat politike që garojnë të vetëm apo edhe kandidatët e pavarur. Me një batutë tipike, avokati Ngjela theksoi se kjo skemë përkthehet: "Kush futet në kooperativë, përfiton benefice, ndërsa të tjerët shpallen kulakë". Ngjela është marrë me këtë pikë, pra të shkeljes së barazisë para ligjeve, që ai e cilëson si bazën e demokracisë moderne. "Mazhorancat nuk kanë nevojë për mbrojtje, sepse janë të forta, prandaj baballarët e Amerikës nxorën konstitucionalizmin, i cili nuk është gjë tjetër veçse një garantues i lirive të pakicave dhe mbrojtjes i demokracisë nga tiranitë e mazhorancave. Neni 1 i Kushtetutës së Republikës, thekson në pikën 3 të tij, se "qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike". Ngjela, këtë arsyetim, e ilustroi me një shembull sipas të cilit: një forcë politike që garon e vetme i llogariten 5 mijë vota, ndërsa një tjetre që është në koalicion i llogariten 8 mijë. Ndërkaq, Adri Nurellari, drejtori i Institutit Liberal, shkoi më tej duke e konsideruar Kodin e ri Zgjedhor të miratuar nga Kuvendi, si një "Dushk të ri". Sipas liberalëve, Kodi i miratuar në Parlament në nenet 162 dhe 163 parashikon dy formula të ndryshme për të numëruar dhe përcaktuar ndarjen e mandateve brenda së njëjtës zonë zgjedhore. D‘Hondt do të përdoret për garën e nivelit të parë mes partive dhe koalicioneve, ndërsa Sainte Laguë për të bërë ndarjen e mandateve ndërmjet

subjekteve politike që i përkasin një koalicioni. Ky kombinim i dy formulave dëmton partitë politike të vogla që nuk janë pjesë e koalicioneve të mëdha, sepse mandatet e tyre përllogariten me d‘Hondt. Kjo do të thotë që numri minimal i votave për to, për të nxjerrë një deputet është i lartë, ndërkohë që partive brenda koalicioneve iu përllogariten mandatet sipas Sainte Laguë, ku numri minimal i nevojitur për të nxjerrë një deputet është i ulët. Si pasojë e këtij kombinimi të qëllimshëm të dy formulave të ndryshme të numërimit, partitë e vogla që ngelen jashtë dy koalicioneve të mëdha janë të dizavantazhuara, pra nuk kanë

shanse të barabarta garimi në zgjedhje".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›