E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uithers: Duhen ligje që zhdukin trafikimin

Në 60-vjetorin e Kartës Ndërkombëtare Universale për të drejtat e njeriut, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uithers, ishte i pranishëm pranë studentëve të Fakultetit Filologjik, ku mbajti një leksion mbi të drejtat e njeriut dhe veçanërisht të grave. Ambasadori amerikan tha se në Shqipëri është shkelje e hapur e të drejtave të njeriut trafikimi dhe shfrytëzimi i grave për qëllim prostitucioni. Uithers tha se është detyrë e qeverive të krijojnë mekanizmat ligjorë për mbrojtjen e këtyre shtresave dhe luftën kundër fenomeneve të tilla. "Këtu në Shqipëri, çdo vit, njerëzit detyrojnë gratë të hyjnë në rrugën e prostitucionit apo i trafikojnë ato. E dimë se sot kudo në mbarë botën gratë i nënshtrohen dhunës kudo ku jetojnë". Me nota emocionale, Uithers shtoi se "kur dëgjoj për raste të tilla bëj pyetje pse njerëzit nxjerrin në pah karakterin më të keq të tyre. Pse njerëzit shohin ngjyrën e lëkurës së një personi dhe gjejnë aty arsye për të urryer, pse shohin një person me orientim të ndryshëm seksual dhe gjejnë një arsye për të diskriminuar. Pse burrat shohin sytë e grave dhe gjejnë arsye për të abuzuar". Ambasadori amerikan vazhdoi leksionin e tij para studentëve, duke theksuar se nuk ekziston e drejta universale për të diskriminuar e abuzuar. Në këtë kuadër, ai kërkoi ligje të forta nga qeveria shqiptare apo çdo qeveri respektive, ku gratë dhunohen dhe u shkelen të drejtat. "Ajo që ndryshon mes vendeve janë mekanizmat mbrojtëse dhe mbështetëse institucionale apo ligjore që i ofrojnë mbrojte nga abuzimi grave që kërkojnë drejtësi. Qeveritë kanë përgjegjësi që të nxjerrin e zbatojnë ligje, të sigurojnë që sistemi i drejtësisë dhe forcat policore të trajtojnë në mënyrën e tyre rastet në familje", apeloi ambasadori amerikan.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›