E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: Tipari dallues, integriteti dhe luajaliteti në vendimmarrje

03/07/2009  Vendimi i PBDNJ-së

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut priret të vazhdojë të jetë pjesë e koalicionit të forcave të majta politike. Kryetari i PDBNJ-së, Vangjel Dule, në një deklaratë për shtyp ka thënë se partia e tij do t’u përmbahet vendimeve të saj për të vazhduar aleancën me të majtët. Në lidhje me koalicionet e mundshme që mund të bëjë PBDNJ-ja në përfundim të zgjedhjeve Dule deklaroi se “tipari dallues yni është integriteti, luajaliteti dhe koherenca në vendimmarrje”. Kështu, duket i pandryshueshëm vendimi dhe marrëveshja që në pozicionin e kreut të PBDNJ-së Dule nënshkroi me Partinë Socialiste rreth një muaj më parë, duke kaluar në koalicionin e forcave të majta “Bashkimi për Ndryshim”. Por Dule duket se është shprehur i pakënaqur mbi rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ai bëri me dije se do të marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë politike për rezultatin për këto zgjedhje. “Për PBDNJ-në rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk ishte ai që pritej. Nuk e realizuam objektivin tonë, pavarësisht se do të renditja dhjetëra arsye, nga pozicioni i kreut marr përsipër gjithë përgjegjësinë politike për këtë rezultat”, - tha ai. Ai bëri me dije se kërkoi mbledhjen e kongresit të jashtëzakonshëm për rishikimin e programit, rishikim e statutit për drejtimin e partisë. Por gjatë deklaratës së tij Dule është shprehur me tone kritike edhe ndaj Partisë Socialiste për mënyrën se si ajo menaxhoi procesin e numërimit të votave. “Partia Socialiste në këto zgjedhje nuk mundi të mbrojë votat e PBDNJ-së. Në një debat me PS-në na mbetet për të analizuar se ajo nuk mundi t’i mbronte apo nuk pati vullnetin e duhur”, - deklaroi Dule. Ndërkohë, duke iu referuar zgjedhjeve, ai tha se qëndrimi i dy partive të mëdha në këto zgjedhje solli në vëmendje frikën e shprehur nga PBDNJ-ja lidhur me administrimin e tyre, gjë që u konfirmua tani. Ai theksoi se procesi zgjedhor nuk mund të administrohet nga partitë politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›