E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Procesi transparent, jemi të fituar

03/07/2009  Numërimi i votave, PS akuzon PD për përpjekje që të ndryshohet rezultati

“Berisha provokoi në Fier me forcat policore dhe me agjentë krimesh”

Kampi rozë shton tonet akuzuese ndaj kundërshtarit politik. Ishte kreu socialist Edi Rama që gjatë një komunikimi me mediet, duke iu referuar problemeve gjatë procesit të numërimit në Fier, shigjetoi ashpër drejtuesit e Partisë Demokratike. Nga ana tjetër kryetari i PS-së shfaqet sërish i bindur në fitoren e partisë që ai drejton, dhe kjo sipas tij do të rezultojë nga numërimi i votave në kutitë e fundit, që pritet të ndryshojnë rezultatin.

Akuza

“Kryeministri Berisha ka provokuar me forcat policore dhe me agjentë krimesh e funksionarë të njohur të Ministrisë së Brendshme të gjithë këtë proces, që nuk po arrin dot të mbyllet për Qarkun e Fierit me gjithë vullnetin tonë të plot”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij. Në pretendimin e kreut të PS-së pengesë e procesit të numërimit ishte “mungesa e plotë e vullnetit të Sali Berishës që të pranojë verdiktin e popullit të Fierit”, 9 mandate për Partinë Socialiste, të cilat janë në kutitë e votimit dhe në bazë të një rezultati spektakolar, që e bënë partinë Socialiste fitimtare në Qarkun e Fierit me një diferencë nga Partia Demokratike si asnjëherë në këta 18 vjet. Madje, po në këtë linjë, Rama akuzoi se “kamerdarja e koalicionit me shumë bishta ka mundësuar për Sali Berishën që ky avantazh si asnjëherë më parë i thellë të zvogëlohet, por jo aq sa të vërë në rrezik mandatin e 9, të cilin kryeministri në detyrë synon ta rrëmbejë me forcë”.

Qëndrimi

Selia rozë është e bindur për një ndryshim rezultatesh, nëse do të procedohet në mënyrë transparente me procesin e numërimit. Madje, për t’i ardhur në ndihmë kësaj bindjeje socialistët do të kontestojnë këtë proces në disa zona. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se “Sali Berisha nuk ka një mandat të dytë nga shqiptarët dhe shqiptaret, ndërkohë që ne kemi të gjitha arsyet të besojmë se nga kutitë e votimit dhe nga transparenca e mëtejshme e procesit ka akoma numra që do të ndryshojnë”. Sipas tij, PS-ja do të luftojë me të gjitha mjetet ligjore që verdikti i popullit sovran në datën 28 qershor të lexohet deri në fund dhe këtë do ta bëjë me kontestimet përkatëse. “Ne e kontestojmë rezultatin në Shkodër dhe do ta ndjekim në rrugë ligjore. Ne e kontestojmë rezultatin në Berat dhe do ta ndjekim në rrugë ligjore. Pa asnjë mëdyshje do të përgatitim të gjithë paketën e kontestimeve dhe në rrugë ligjore do të kërkojmë që votimi i popullit për të gjitha ato zona dhe territore ku ne kemi arsye të plota të besojmë se ka pasur parregullsi të qëllimshme të dalë në dritën e diellit”, - vuri në dukje Rama. Por duke sqaruar më tej mbi një qëndrim të tillë kreu socialist nënvizoi se “kjo nuk ka të bëjë aspak qoftë me ndonjë objektiv për të mos njohur në fund fare rezultatin e zgjedhjeve dhe aq më pak ka të bëjë me ndonjë objektiv për të nxitur, ashtu sikundër në mënyrën më abuzive kryeministri në detyrë e hodhi në eter, ndonjë revoltë njerëzish”. Sipas tij, është e patolerueshme për një vend që është anëtar i NATO-s dhe synon të integrohet në BE që pas kaq ditësh e netësh të ketë akoma qytetarë e qytetare të kthyer në pengje në qendrat e numërimit dhe një popull të tërë të kthyer në peng para ekranit të televizorit, sepse jo vetëm nuk arrin të njihet me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në një vend normal, por përkundrazi provokohet në mënyrë të vazhdueshme me skena e deklarata jashtë çdo parametri të etikës europiane të komunikimit.

Rama për Priftin

“Ato që kanë të bëjnë me të tjerët janë në radhë të parë çështje që iu përkasin të tjerëve, por vendimi i qartë deri tani i popullit sovran se Sali Berisha nuk duhet të jetë kryeministri i vendit të mos deformohet dhe të mos anashkalohet duke i dhënë jetë çfarëdo qeverie që dëshiron të lindë edhe një herë tjetër mbi truallin aspak të favorshëm për demokracinë dhe për proceset e modernizimit dhe europianizimit të vendit të xhuvelizmit. Por unë këtë jam i prirur të mos e besojë se do të ndodhë”, - u shpreh Rama.

Kritika për Berishën

“E konsideroj jo vetëm kontribut për të ruajtur një klimë sadopak normale, por një kontribut për të prishur çdo lloj mundësie që kjo klimë të jetë normale edhe me fyerjen skandaloze që kryeministri në detyrë i bëri deputetit të Partisë Socialiste Andis Harasani dhe ai duhet ta marrë mbrapsht atë fyerje, sepse është ende kryeministri i vendit dhe nuk është një karrocier që i dehur flet përçart”, - theksoi Rama duke iu referuar deklaratës së ardhur nga kryeministri Berisha mbi incidentin e ndodhur në Rrogozhinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›