Dule: Ujërat me Greqinë, pakti ishte bashkëkohor
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të vijojë të jetë forca e parë politike në minoritet. Kreu i saj, Vangjel Dule, ka deklaruar dje se kursi politik i kësaj force, qoftë edhe në rreshtimin e vet elektoral të vitit 2009, nuk ka penalizuar interesat e minoritetit dhe se rezultati i ulët është një dëshmi e manipulimit. Së bashku me kreun e OMONIAs, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, gjatë rrëfi mit në “Top Story”, Dule ka nënvizuar se krijimi i MEGA-s si formacion i ri i pakicës greke nuk cenon balancën politike në këtë komunitet. “Fati i MEGA-s do jetë ai i LDLNJ-së dhe ajo do të shkojë atje ku kanë shkuar edhe subjekte të tjera”, pasoi në gjykimin e Dules edhe Bollano. Nënteksti i kësaj deklarate lidhet me faktin se manovra e fundit e qeverisë “Berisha”, me krijimin e një partie të re, kundërshtare e PBDNJ-së, nuk po shihet me frikë nga përfaqësuesit tradicionalë të minoritetit grek. Dule tha se pakti i ujërave me Greqinë ishte bashkëkohor dhe se sa herë të negociohet, do të japë të njëjtin përfundim që kishte në marrëveshjen që rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Por Dule ka bërë të qartë edhe arsyen e ndryshimit të aleancave në vitin 2009, duke bërë një kthesë që e çoi atë nga bashkëpunimi me PD-në, drejt koalicionit me socialistët. “Që nga viti 2007, Berisha ka nisur përpjekjet për të bërë diversion ndaj PBDNJ-së. Kjo sepse ai kuptoi se nuk mund ta bënte partinë tonë vegël, jo për meritën time, por sepse deputetët e PBDNJ-së, si z. Spiro Peçi, i kanë kundërshtuar përherë nismat ligjore që më vonë kanë rezultuar si antikushtetuese. Po kështu edhe z.Solis”, tha Dule. Por përfaqësuesit e minoritetit kanë dhënë disa gjykime edhe për sa i përket aleancës me socialistët, duke marrë në konsideratë interferimin në të të nismave të PS-së për marrëveshjen e ujërave. Edhe pse ka deklaruar se nuk është çështje e minoritetit marrëveshja e ujërave, Dule nuk i ka shpëtuar një interpretimi konkret për këtë gjë. “është një marrëveshje moderne... Sido që të negociohet, nga kushdo që të negociohet dhe kurdo që të negociohet, do të arrihet në të njëjtin rezultat që u arrit...”, u shpreh kreu i PBDNJ-së. Ai ka lënë të kuptohet se situata e provokuar nga ankimimi i PS-së për këtë temë nuk do të ndikojë në koalicionin me opozitën, që sipas tij bëhet i detyrueshëm pas akteve të diversionit të ndërmarra nga qeveria “Berisha” në minoritet.
#