E Diel, 1 Nëntor 2026

Falja e të burgosurve, Presidenti lëshon dorën

Mes përfituesve të dënuar për krime të rënda, vrasje, grabitje dhe trafiqe

Presidenti i Republikës, në dekretimin e tij të tretë për faljen e të burgosurve, duket se e ka “lëshuar” dorën, teksa ka firmosur ulje dënimi për plot 367 persona. Në dy faljet e para, përkatësisht në mars 2008 dhe prill 2009, kreu i shtetit ka dekretuar falje për gjithsej 49 vetë. Në të dyja rastet kanë përfituar nga dekreti persona të moshuar.

Personi më i njohur që ka përfituar 1 vit dënim është ish-bosi i formave piramidale, Vehbi Alimuça, kjo për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rreth 20 të dënuar duket se kanë qenë më fatlumët, pasi kanë përfituar ulje dënimi nga 4 deri në 10 vjet ulje dënimi. Pjesa dërrmuese e listës përbëhet nga të dënuar që kanë përfituar nga 1 deri në tre vjet ulje dënimi. I paqartë është fakti i mospërcaktimit për 11 të dënuar masa e përfitimit të tyre nga dekreti i Presidentit. Në listë për ta është shënuar vetëm “i falet dënimi i mbetur”. Në listë ka të dënuar për vrasje, por edhe për krime të tjera të rënda si trafik të qenieve njerëzore, apo të armëve luftarake.

Duke iu referuar listës së publikuar në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës, një prej të dënuarve ka përfituar uljen e plot 10 viteve burg. Iljaz Bega ishte 67 vjeç në vitin 2006, kur vrau për çështje pronësie atë e bir. Një tjetër person rezulton të ketë përfituar 6 vjet ulje dënimi. Kjo është Floresha Boni, e akuzuar për vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, armëmbajtje pa leje, kultivim i bimëve narkotike. Për gjashtë të dënuar Presidenti ka dekretuar 5 vjet ulje dënimi. Nuk dihen arsyet pse është vendosur t’i falen 5 vjet dënimi Agron Tresit, shokut të Arben Grorit, i cili është akuzuar për krijimin e bandave me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës. Aleksandër Sherri është një tjetër person që do të vuajë po 5 vjet më pak burg, edhe pse ai është dënuar për kryerjen e veprës penale të vjedhjes me armë në bashkëpunim, mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe plagosjes së lehtë, vepra këto të parashikuara nga nenet 140-25, 278/2 e 89 KP. Floresha Manjani është dënuar për vrasjen e bashkëshortit të saj dhe tani do të kryejë 5 vjet më pak burg. Për të duhet të ketë ndikuar fakti se ka 7 fëmijë jetimë.

Mes të dënuarve që përfitojnë zbritje të viteve të burgut është edhe Albana Zenelaj, dënuar për vrasje. Po ashtu kanë përfituar ulje dënimi edhe Algert Hyka, dënuar për vrasje nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 17, datë 13.03.2008. Edhe Arjan Sina, dënuar për vrasje nga Gjykata e Rrethit Tepelenë, me vendimin nr.74, datë 11.12.1990, ndryshuar me vendimin nr.4, datë 15.01.1991 të Gjykatës së Zonës Gjirokastër. Ndër personazhet e njohur është edhe Besnik Keta, dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me vendimin nr.51, datë 03.10.2005. Besnik Keta dhe Dorjan Stafa u akuzuan nga Prokuroria e Rrethit Tiranë për vrasjen me paramendim për motive hakmarrjeje të Taulant Muçës, vëllait të vogël të Gaz Muçës, më 31 korrik të vitit 1998.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›