Vetëpunësimi ilegal në minierat e braktisura
Kërkimi amator i kromit ka futur në punë dhjetëra ish-minatorë të zonës së Hasit, të Tropojës dhe të Kukësit, si dhe njerëz krejt të painformuar për rrezikun e galerive. Të nxitur nga nevojat e mbijetesës për të fituar bukën e gojës, ata jo rrallëherë kanë rrezikuar seriozisht jetën. Në zonën e Bytyçit të rrethit të Tropojës, përveç dhjetëra kërkuesve amatorë, ka të paktën 25 firma të licencuara në nxjerrjen e kromit. Në rrethin e Hasit janë gjithashtu një numër kërkuesish të njohur kryesisht në zonën e nga fshati Golaj e deri në Vahën duke përfshi edhe disa kërkime me punuese në afërsi të Golajve. Në rrethin e Hasit kanë funksionuar deri një fillim të viteve ‘90 të paktën 13 miniera dhe puse të kromit, si dhe dy-tri miniera të nxjerrjes së bakrit. Fshati Zgjeç, i cili ndodhet në afërsi të kufirit me Kosovën 17 km larg qytetit të Krumës bën pjesë në arealin më të pasur të zonës së Hasit me krom dhe minerale të tjera. Nga ana tjetër, përbën edhe zonën më varfër në Shqipëri ku gati 60 për qind e personave të aftë janë të papunë. Pavarësisht cilësisë së mineralit që në disa raste arrin të konkurrojë edhe atë të Kalimashit kërkuesit në Has nuk kanë dalë gjithnjë të fituar, pasi siç tregojnë specialistët, duke qenë se në Has mungon një rrugë e asfaltuar që ta lidhë këtë rreth me qendrat e tjera e rrit shumë koston e transportit ndërsa nga ana tjetër edhe konfliktet për pronën mbi tokën kanë sjellë në jo pak raste zbehje të punës dhe pakësim të kërkimit.
#