Senati i SHBA, rezoluta: BE ta integrojë Ballkanin
Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me anë të një rezolute të miratuar dy ditë më parë, i ka kërkuar Bashkimit Europian që të përshpejtojë përpjekjet e tij për të integruar sa më shpejt vendet e Ballkanit Perëndimor në BE. Rezoluta me numër 483, në fakt ka pasur si objekt mbështetjen e Senatit ndaj Serbisë në lidhje me integrimin në BE, dhe me këtë rast shpreh edhe mbështetjen për vendet e tjera ballkanike. Ky dokument ka kaluar në mënyrë unanime dhe shpreh mbështetjen për rolin e Bashkimit Europian në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Në tekstin e saj, rezoluta e Senatit të SHBA-së thekson ndër të tjera se viti 2010 ka treguar një dekadë nga përpjekjet e qeverisë së Serbisë për t’u integruar në Europë dhe komunitetin ndërkombëtar. “Duke pasur parasysh se më 30 nëntor 2009 BE vendosi liberalizimin e vizave për qytetarët serbë në zonën Schengen, duke pasur parasysh se qeveria e zgjedhur demokratikisht e Serbisë ka marrë angazhimin për të zgjidhur papajtueshmëritë rajonale nëpërmjet diplomacisë dhe zbatimit të ligjit ndërkombëtar, duke pasur parasysh që më 29 prill 2008 BE dhe Serbia firmosën MSA, duke pasur parasysh që më 21 qershor 2003 vendet e BE-së në samitin e Selanikut bënë të ditur se e ardhmja e vendeve të Ballkanit i takon Bashkimit Europian”, thuhet në rezolutë. Senati ndalet edhe tek fakti se qeveria e Shteteve të Bashkuara ka mbështetur përpjekjet diplomatike të qeverisë së Serbisë për t’u riintegruar në komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë dhe vizitën e zv/presidentit Joseph Biden në maj 2009. Qeveria e SHBA e konsideron BE-në si burim stabilizimi, sigurie dhe zhvillimi për të gjithë Europën dhe botën; ndërsa përkrah popullin e Serbisë në angazhimin e saj për demokraci, ekonomi tregu, tolerancë, jo diskriminim dhe shtetin e së drejtës. “Senati kërkon që Këshilli Europian të adoptojë në kohë dhe mënyrë pozicionin e qartë në lidhje me kualifikimin e Serbisë si një vend kandidat, mirëpret vendimin e qeverisë së Serbisë për t’iu bashkuar programit të NATO-s së Partneritetit për Paqe në 2006; thekson se është i rëndësishëm bashkëpunimi i qeverisë së Serbisë me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për çështje të tilla si demokratizimi, lufta ndaj trafikut të drogës, antiterrorizmit, të drejtat e njeriut, bashkëpunimi rajonal dhe tregtia; bën thirrje fuqimisht qe qeveria e Serbisë të intensifikojë përpjekjet dhe të dorëzojë të dyshuarit Goran Haxhiç dhe Ratko Mlladiç në Gjykatën Ndërkombëtare”, theksohet në rezolutë.
#