Dule fushatë në gjuhën greke
14/06/2005 Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i është drejtuar në gjuhën greke elektoratit të kësaj partie në Vrisëra të Gjirokastrës. Gjatë prezantimit të kandidatit për deputet Spiro Ksera, Dule është shprehur se “partia jonë ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë spektrin e politikës greke. Kjo do të shërbejë për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy popujve tanë dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ne po punojmë për përmirësimin e kushteve të minoritetit grek në Shqipëri, si dhe për intensifikimin e mëtejshëm të mbështetjes së Greqisë për Shqipërinë për integrimin e saj drejt Evropës”. Gjatë takimit, Dule ka vënë theksin në mbrojtjen e të gjitha interesave të minoritetit në vend, duke i kërkuar elektoratit që të votojnë për kandidatin Ksera në zgjedhjet e 3 korrikut.