E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano: Do të ndërtojmë rrugën nga Sauku te kodra e liqenit

14/06/2005  3 korriku është udhëkryq i rëndësishëm, që s´duhet të vërë në pikëpyetje të ardhmen

Kryeministri Fatos Nano u ka premtuar banorëve të Saukut ndërtimin e një rruge lidhëse me Liqenin Atrificial, duke shkurtuar distancën me qendrën e Tiranës. “Jemi këtu për të dhënë llogari, si dhe për të marrë angazhime të reja. 3 korriku është një udhëkryq i rëndësishëm, i cili nuk duhet të vërë në pikëpyetje të ardhmen. Ardhja në pushtet e bandave të Berishës dhe e të pangopurve si Pango, do të thotë çekuilibrim i thellë i të gjithë shoqërisë, do të thotë hakmarrje, do të thotë parazitizëm, përçarje, ndërprerje e projekteve të zhvillimit dhe të mbështetjes nga bota“, tha Nano gjatë prezantimit të kandidatit për deputet të Partisë Socialiste në zonën elektorale 38, Anastas Angjeli. Në qendër të sulmeve për kreun e mazhorancës socialiste ka qenë dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, si dhe kandidati për deputet të PD-së, Ylli Pango. “PS nuk ka kohë për të humbur. Sauku, si gjithë Shqipëria, nuk mund t’u nënshtrohet më eksperimenteve të rrezikshme dhe dështake, sepse nuk duhet shpërdoruar vota, as për shërbëtorët e rinj metistë, që po i japin oksigjen Berishës në agoninë e fundit politike. T’i fusim në sepetet e vjetra të muzeumeve, Berishat e Pangot, se nuk i duhen më as dreqit, as juve apo Shqipërisë për t’i përdorur si dordolecë. Ne do të shohim me vëmendjen e duhur, ashtu si deri më sot, aspiratat tuaja dhe interesat e studentëve të Universitetit të Tiranës, do të vazhdojmë të punojmë me stafe akademikësh dhe profesorësh, pa ankthet që krijojnë njerëz si Pango dhe që në mënyrë absurde dhe me urdhër të parërgjegjshëm nuk lejojnë të ushtrohet liria e votimit dhe e zgjedhjes për profesorët dhe studentët“, tha Nano. Gjithashtu, dje kreu i qeverisë ka prezantuar kandidatin për deputet në zonën 33, Arben Ahmetaj. Gjatë këtij takimi, Nano tha se “ju kërkoj ndershmëri dhe në çdo angazhim drejt së ardhmes të gjithë ithtarëve dhe të gënjyerve të Berishës, të largohen prej tij, të bashkohen me ne, të mos i shkojnë pas atij njeriu, përfshirë dhe Lulzim Bashën, përfshirë dhe Ilir Metën, përfshirë dhe çdo njeri tjetër, që është pengesë për ortekun e reformave evropiane që ne po çojmë përpara në Shqipëri. Lule kemi midis nesh dhe nuk kemi nevojë për lulkat e Berishës. Nuk duhet t’i lëmë rrugët t’i shkelë, t’i ndotë dhe t’i infektoj Sali Berisha, siç bëri sot në Tiranë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›