Pango: Angjeli po i bën presion drejtorit të QS
14/06/2005 Kandidati i Partisë Demokratike në zonën 38, Ylli Pango, ka akuzuar dje rivalin e tij socialist se po ushtron presion mbi drejtorin e Qytetit Studenti, me qëllim që ky i fundit të mos vërtetojë se studentët janë banorë të këtij qyteti, pasi kështu bëhej pjesë e lojës së PD-së. “Drejtori më ka thënë se jam i komanduar nga Angjeli dhe s'kam çfarë të bëj. Më parë, Angjeli e ka marrë në telefon atë dhe i ka thënë se nuk duhet ta firmosë atë vërtetim, pasi në të kundërt do të bëhet pjesë e lojës së PD-së”, tha Pango. Ndërkohë anëtarë të shtabit elektoral të kandidatit të PD-së në këtë zonë kanë deklaruar dje se nga policia janë arrestuar tre studentë, me preteksin se kanë qenë duke grisur posterat e kandidatit socialist. “Çerek ore para se profesor Pango të zhvillonte një konferencë për shtyp në Qytetin Studenti, tre anëtarë të shtabit, të cilët ishin në furgonin e stafit, shoferi dhe dy anëtarë të tjerë, u ndaluan në postën e policisë, në hyrje të Qytetit Studenti dhe u shoqëruan në komisariat. Preteksti ishte se ata kishin grisur një poster të kandidatit Angjeli, i cili ishte ngjitur pranë shtëpisë së profesor Pangos”, thuhet në një deklaratë të shtabit elektoral të kandidatit Pango.