Rama: Berisha, demagogji me rritjen e pagave e pensioneve
Kryetari i Partisë Socialiste ka qenë në qytetin bregdetar të Vlorës për të prezantuar edhe në këtë qytet, Programin e ri qeverisës të socialistëve. Rama ka folur për një Shqipëri që zhvillohet e gjitha njësoj, për një Shqipëri që të jetë vërtetë e zhvilluar në fshat e në qytet, jo më me zhvillim të diferencuar, ku ca janë të nënës dhe ca janë të njerkës. Shqipërinë nënë të të gjithëve do ta bëjmë me këtë politikë të re, e cila është për njerëzit dhe nga njerëzit, është shprehur Rama.
Më tej, nga Vlora ai ka akuzuar qeverinë për demagogji në apeksin e rritjes së pagave dhe pensioneve në një kohë që sot me këto paga e pensione të rritura blihet me pak se 4 vjet më parë. Kryeministri bashkë me ministrat e të tjerët u tregojnë grafikët e rritjes së rrogave. Me rrogat e rritura të Sali Berishës çuditërisht blejnë më pak se ç'blinin përpara se Sali Berisha të bëhej kryeministër, ka vijuar kreu socialist, duke dhënë njëkohësisht 2 premtime për vlonjatët, pjesëmarrës në këtë takim. Dy projektet e mëdha për të cilat unë do të angazhohem me mish e me shpirt për Vlorën do të jenë fillimi i ndërtimit të një porti europian dhe fillimi i punës për një universitet europian për Vlorën, siguroi Rama, apeli i të cilit, nga Vlora për të gjithë Shqipërinë ka qenë për tju bashkuar politikës së re të Partisë Socialiste, e cila nuk do qeverisë më e veçuar nga njerëzit por në konsultim të përhershëm me ta, për të qenë një qeverisje me qytetarët dhe për qytetarët. Vetëm duke e qeverisur së bashku ne mund ta ndryshojmë Shqipërinë. Shqipëria nuk mund të ndryshojë duke u qeverisur nga kutia e televizorit. Shqipëria nuk mund të ndryshojë duke mbetur në duart e pak njerëzve. Shqipërinë do ta ndryshojmë duke e nxjerrë politikën nga kutia e televizorit, duke e çuar qeverinë në duart e njerëzve. Do ta ndërtojmë Europën në çerdhet, në kopshtet, në shkollat, në universitetet, në spitalet, në qendrat shëndetësore, në rrugët tona, përfundoi Rama nga qyteti i Vlorës.