Durrës-Kukës, Olldashi: Përfundon më 27 qershor
Ministri i Transporteve përuron ekspozitën lëvizëse
Fotot e punimeve, shëtitje në gjithë vendin
Rruga Durrës-Kukës do të përfundojë në afat dhe këtë e konfirmoi dje ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Ministri deklaroi dje, gjatë vizitës në ekspozitën lëvizëse të fotove të kësaj rruge, se nisur nga ritmi i punimeve, segmenti më i vështirë, ai i Rrëshen-Kalimashit pritet të përfundojë në datën 27 qershor. Në vizitën e ekspozitës me fotot gjigande të vendosura para zyrave të Kuvendit, Olldashi tha se kjo ekspoze i jep mundësi çdo shqiptari që të shohë nga afër se ç’do të ndodhë në projektin e shekullit.
Një numër i madh fotosh, i realizuar nga pedagogët e Universitetit të Tiranës që tregojnë punimet në projektin më të madh infrastrukturor që kanë ndërtuar shqiptarët, do të shëtisë në të gjithë vendin, ku çdo qytetar do të ketë mundësi të shohë nga afër rrugën Durrës-Kukës. Ministri Olldashi u shpreh se segmenti Rrëshen-Kalimash “është një rrugë e bukur, e cila vlen të shihet në terren, por vlen të shihet edhe këtu”. Ekspozova, e cila fillimisht u vendos para zyrave të deputetëve, sipas Olldashit, do të shërbejë të bindë edhe ata politikanë të cilët e kanë sulmuar ashpër këtë projekt gjigand që realizoi qeveria e djathtë. “Kjo ekspoze, përveçse vlerëson veprën më të madhe të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, u jep mundësinë edhe qelbësve të politikës të paktën virtualisht ta përshkojnë këtë rrugë, të vijnë ta shikojnë përmes fotove, pasi nuk kanë marrë kurrë mundimin ta shikojnë atë realisht, të shikojnë veprat e saj, detajet që janë të pakrahasueshme me gjithçka tjetër që është bërë deri më sot”, - deklaroi ministri i PPTT-së, Sokol Olldashi.
Organizatori dhe ideatori i kësaj ekspozeje, pedagogu Romeo Hanxhari, premtoi se kjo ekspozitë do të shkojë në gjithë Shqipërinë për t’u parë nga sa më shumë qytetarë. “Do të vazhdojë udhëtimin më pas në qytete të ndryshme të vendit”, - tha ai duke shtuar se përmes saj do t’i bëhet e njohur publikut ajo që ndodh në këtë vepër kaq të madhe për vendin tonë. “Për ne që vijmë nga fakultete të ndryshme, - tha Hanxhari, - është konsideruar si një shkollë për standardet e ndërtimit, standardet e mjedisit që respekton, zhvillimin ekonomik për zonat rurale dhe zhvillimin kombëtar”. Sipas tij, kjo është një rrugë që e kthen Shqipërinë nga një sistem i mbyllur në një sistem të hapur, zgjeron tregjet dhe njëkohësisht tregon se si duhet të punojmë edhe në të ardhmen për të krijuar një vizion zhvillimor sa më bashkëkohor dhe me një vizion sa më afatgjatë për një zhvillim të qëndrueshëm. Në këtë aktivitet të organizuar nga pedagogë të Inxhinierisë së Ndërtimit ishin të pranishëm gjithashtu dhe deputeti Ilir Rusmali, drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Rrugëve Andi Toma, zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino, kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gert Bogdani si dhe studentë të Fakultetit të Inxhinierisë. Ekspozita e vendosur në bulevardin kryesor ka bërë kureshtarë mijëra qytetarë, të cilët ndalojnë hapin për të parë nga afër punimet gjigande që po zhvillohen në një nga zonat më malore të vendit.