E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD regjistron koalicionin “Aleanca për ndryshim”



Koalicionet politike regjistrohen në KQZ

Starton zyrtarisht gara për 28 qershorin

Partitë politike bëjnë hapin zyrtar për t’u futur në fushatën elektorale të 28 qershorit. Dy partitë kryesore kanë shfrytëzuar kohën limit në dispozicion për të regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve koalicionin që ato drejtojnë në këto zgjedhje, ndërkohë që surpriza vjen nga kampi i djathtë me emrin e koalicionit që nuk ishte bërë publik. “Aleanca për ndryshim” kanë vendosur ta quajnë të djathtën koalicionin e tyre, ku bëjnë pjesë 11 parti, duke shënuar dhe koalicionin më të gjerë në këto zgjedhje, ndërkohë që garojnë dhe tre koalicione të tjera, “Poli i lirisë” po nga e djathta dhe dy të majtë, “Bashkimi i ri për ndryshim” i PS-së dhe ai i LSI-së “Aleanca socialiste për integrim”. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, konfirmoi për gazetën “standard” se koalicioni i PD-së u regjistrua dje në orët e vona të darkës, ndërkohë që afati zyrtar për këtë proces skadonte vetëm sot. Koalicioni i kryesuar nga PD ka thithur rreth vetes shumë parti të djathta, jo vetëm ato tradicionalet. E vetmja parti që vendosi të mos vazhdonte më bashkëpunimin është PBDNJ, e njohur ndryshe dhe si partia e minoritetit grek, e cila dje pasdite firmosi në aleancën e drejtuar nga PS. “Aleanca për ndryshim” që kryesohet nga PD ruan formatin e sloganeve elektorale të përdoruara në zgjedhjet e kaluara, ku fjala ndryshim ishte një pikë referimi. Ndërkohë demokratët pas katër vitesh në pushtet besojnë se ndryshimi që ata kanë nisur vazhdon dhe i ftojnë qytetarët që të votojnë këtë ndryshim. Por opozita nuk i ka rezistuar dot tundimit dhe ka përdorur fjalën ndryshim në emrin e koalicionit të saj. Rreth 26 parti kanë fituar të drejtën për të hyrë në zgjedhje, 20 të tjera duket se do ta kenë të pamundur, për shkak të kërkesave të Kodit Zgjedhor. Ndërkaq, data 19 maj do të jetë afati i fundit që partitë duhet të dorëzojnë kandidatët për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pas dorëzimit, KQZ-ja do të bëjë një verifikim të tyre dhe vetëm në datën 13 qershor emrat e deputetëve do të publikohen zyrtarisht në media.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›