E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule kundër qëndrimit të Ramës

03/12/2009  Situata politike

SARANDË – “Nuk ka interesa partiakë që mund të vihen mbi interesat e vendit, e sidomos mbi interesat e integrimit të Shqipërisë në BE”, - u shpreh nga qyteti i Sarandës kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule gjatë mbledhjes së krerëve të zgjedhur të “Omonia”-s, të mbajtur pasditen e sotme. Referuar situatës së vështirë politike që përjeton Shqipëria, posaçërisht për bojkotin e institucioneve nga Partia Socialiste, kryetari i PBDNJ-së tha se kjo është një situatë e kapërcyer dhe se duhet të kapemi fort pas objektivit strategjik, që është integrimi europian i vendit. Dule ka vlerësuar se në kushtet kur struktura të rëndësishme të BE-së janë shprehur pozitivisht për situatën tonë, do të ishte fatkeqësi që klasa jonë politike të mos i përgjigjet asaj me të njëjtin temp, por të vazhdojë të veprojë e fragmentarizuar. Në këtë kuadër Dule ka kujtuar se PBDNJ-ja ka kërkuar prej kohësh kompromisin historik. Ndërkohë në një mbledhje të krerëve të zgjedhur të “Omonia”-s janë parashtruar tezat e kongresit të PBDNJ-së dhe është unifikuar qëndrimi për situatën politike në vend. Me të zgjedhur në forume drejtuese të organizatës “Omonia” dhe eksponentë të PBDNJ-së në selinë e “Omonia”-s në Sarandë është organizuar një takim kushtuar dy ngjarjeve më të afërta që priten: 10 dhjetorit, e njohur si Dita e të Drejtave të Njeriut, dhe përgatitjes së kongresit të PBDNJ. Takimi është drejtuar nga kryetari i përgjithshëm i “Omonia”-s, Vasil Bollano, ndërsa për platformën e përgatitjes për këto dy ngjarje të pranishmëve u ka folur kryetari i PBDNJ-së, deputeti Vangjel Dule. Ai ka folur edhe për standardet e demokracisë që ofron Shqipëria, e lidhur kjo me bojkotimin e institucioneve që është duke vazhduar të tregojë PS-ja. Dule u shpreh edhe për qëndrimet e PBDNJ-së në prag të dy evenimenteve që qëndrojnë përpara, ndërkohë që ka pranuar nevojën për ndryshime në statutin e “Omonia”-s dhe kongresin e pritshëm të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›