E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule përjashton Kserën nga “Omonia”

 

Piro Nase

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, zyrtarizon përjashtimin e Spiro Kserës nga drejtimi i degës së “Omonia”-s së Gjirokastrës, e cila është edhe dega më e madhe e kësaj organizate. Largimi i Kserës erdhi dje kur organizata e minoritetit etnik grek zhvilloi zgjedhjet për kryetarin e ri, pas vendimit të pak javëve më parë për ta zëvendësuar ministrin e PD-së nga drejtimi i saj. Përplasja mes ish-prefektit të Gjirokastrës dhe kreut të PBDNJ-së erdhi pak ditë para nisjes së fushatës elektorale, për shkak të qëndrimeve të ndryshme lidhur me aleancat parazgjedhore të kësaj force politike.
Zgjedhjet
Pas procesit zgjedhor në degën e Gjirokastrës në krye të saj u vendos Dhimitër Maluqi, i cili është aktualisht kryetar i komunës së Dropullit të Poshtëm. Maluqi merr vendin e lënë vakant nga Spiro Ksera qysh para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, ku pranoi të garonte nga radhët e PD për deputet në Qarkun e Gjirokastrës. Gjatë konferencës së djeshme Dule nuk ka shmangur edhe komentet për ish-prefektin e Gjirokastrës, i cili tani ka marrë postin e ministrit të Punës në kabinetin qeveritar.  “Ksera është vetëpërjashtuar nga radhët e ‘Omonia’-s dhe ky vetëpërjashtim u zyrtarizua edhe falë vendimeve të strukturave lokale”, u shpreh Vangjel Dule menjëherë pas zgjedhjeve të degës së organizatës. Në konferencën e degës ka rënë në sy mungesa e kreut të “Omonia”-s, Vasil Bollano, i cili është parë shpesh kohët e fundit të shoqërojë kryeministrin Sali Berisha në disa përurime në zonën e Himarës.
Reagimi i Kserës
Pas votimit të djeshëm në Gjirokastër ka reaguar ish-kryetari i degës së “Omonia”-s, përfaqësuesi i minoritetit në kabinetin qeveritar, ministri i Punës, Spiro Ksera. I kontaktuar mbrëmë nga gazeta “Panorama”, ish-prefekti akuzoi kreun e PBDNJ-së për shkeljen e statutit dhe mosnjohjen e gabimeve të tij. “Kryetari i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, vazhdon të mos respektojë ende jetën e brendshme dhe statutin e organizatës ‘Omonia’, si e vetmja përfaqësuese politike e minoritetit etnik grek. Ai zhvilloi një proces zgjedhor pa ftuar njerëzit e degës dhe kryesinë e degës së Gjirokastrës, por edhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të Gjirokastrës. Ai vazhdon ende të mos njohë gabimet që ka bërë”, theksoi Ksera. Sipas tij, “në atë votim morën pjesë 40 vetë, por që të bësh një votim dhe të zgjedhësh kryetarin e ‘Omonia’-s për degën e Gjirokastrës duhet të marrë vendim këshilli i përgjithshëm i ‘Omonia’-s. Ai ka shkelur statutin dhe ka bërë atë që ju tashmë e shikoni”.
Qëndrimi i PBDNJ
Në konferencën e organizatës “Omonia”, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, iu bashkua qëndrimit të kreut të PS-së, Edi Rama, për ilegjitimitetin e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Sipas tij, “komuniteti etnik grek, i cili përfaqësohet përmes OMONIA-s, nuk mundet të heshtë për ato fenomene negative që u konstatuan para dhe gjatë zgjedhjeve dhe njëkohësisht nuk munden të përdoren më nga qeveria e Sali Berishës, me mënyrën sesi u përdorën gjatë zgjedhjeve”. Dule theksoi se janë ndërmarrë vendime kolektive tipike për regjimet totalitare, ku u dëbuan nga vendet e tyre të punës anëtarë të kësaj organizate vetëm e vetëm se nuk pranuan që të këmbejnë vendin e punës në administratën publike me konvertimin partiak nga PBDNJ tek PD, duke aluduar në këtë mënyrë për veprimet e kryera nga ana e Spiro Kserës në dëm të pjesëtarëve të këtij komuniteti. “Këto fenomene nuk nderojnë askënd, jo vetëm ata të cilët i realizuan, por as ne dhe as nivelin e demokracisë në vend”, theksoi Dule. Kreu i PBDNJ e ka cilësuar situatën politike në vend si tejet të rënduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›