Manjani: Mediu, hetim parlamentar dhe shkarkim të anëtarëve të Gjykatës
Partia Socialiste duhet të nisë një hetim parlamentar mbi vendimin e Gjykatës së Lartë dhe më pas të shkarkojë disa prej anëtarëve të saj. Ky është mendimi i njërit prej ekspertëve ligjorë të Partisë Socialiste, Ylli Manjanit, i cili ka lëshuar akuza ndaj anëtarëve të Gjykatës së Lartë në lidhje me vendimin më të fundit të mbylljes së hetimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu me argumentimin e fitimit të imunitetit. “Gjykata e Lartë ka shkelur rëndë Kushtetutën, disa herë brenda vitit, sepse dokumenti themelor i shtetit shqiptar, Kushtetuta, e urdhëron t’i gjykojë çështjet dhe jo t’i pushojë, pa i shqyrtuar”, shprehet për “Top Channel”, Ylli Manjani. Sipas tij, nisur nga këto rrethana, politika ka rast të dëshmojë vullnet për të vendosur drejtësinë në vend për atë që kërkojnë sot qytetarët. “Në këto kushte i takon Parlamentit që të nisë procedurat e shkarkimit të atyre anëtarëve të Gjykatës së Lartë, që e kanë shkelur rëndë Kushtetutën. Ky është një moment për të treguar se qeveria e ka seriozisht luftën ndaj krimit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Mendoj se është detyra e opozitës të kërkojë në Kuvend shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, që kanë pushuar çështjet ndaj ministrave. Askush nuk mund të ketë imunitet dhe i takon Partisë Socialiste të çelë një hetim parlamentar, ndërsa qeveria duhet të japë konsensus”, thekson Manjani. Ai thekson se për një çështje të tillë ka edhe një precedent, duke përmendur rastin e ndërhyrjes së Kuvendit në vitin 2001. Me iniciativën e ministrit të atëhershëm të reformës institucionale të asaj kohe dhe disa deputetëve, iu dërgua Kuvendit kërkesa për shkarkimin e tre anëtarëve te Gjykatës së Lartë, që sipas tyre kishin dhënë një vendim të padrejtë. “Pavarësisht se Kuvendi nuk arriti t’i shkarkojë, pasi argumentoi se nuk ka argumente të mjaftueshëm ligjor, rasti në fjalë vlen për t’u kujtuar se politika mund të veprojë”, theksoi Manjani. Gjashtë ditë më parë, pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, Besnik Imeraj, Majlinda Andrea, Evelina Qirjako dhe Evjeni Sinoimeri, morën vendimin për pushimin e çështjes “Mediu” nga Gjykata e Lartë, për shkak se ish-ministri i Mbrojtjes e kishte rifituar imunitetin me rizgjedhjen e tij si deputet nga zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo e bënte të paprekshëm Ministrin aktual të Mjedisit, pasi tashmë gëzon një imunitet. Pavarësisht kësaj, vetë Mediu ka deklaruar se është i gatshëm t’i përgjigjet drejtësisë. Edhe kreu i qeverisë, Berisha, ka deklaruar se asnjë ministër dhe asnjë deputet i maxhorancës nuk gëzon një imunitet përballë drejtësisë.