E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodrani Erkand Qerimaj shpallet kampion i trefishtë i Evropës

 

“Jam shumë i kënaqur që ngrita flamurin shqiptar mes Shqipërisë”. Me tre medalje të arta në gjoks e flamurin kuqezi, peshëngritësi Erkand Qerimaj, u bë i dyti shtangist shqiptar kampion Evrope pas Daniel Godellit në Kampionatin e 34-të Evropian për të Rinj, që po zhvillohet në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës nga data 14-21 shtator. Super-talenti shkodran 20-vjeçar, vendi i 13-të në botë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, nuk pati asnjë rival në kategorinë e peshës 77 kg, duke fituar në të dy stilet e duke ngritur në dygarësh 336 kg, nga 341 kg që arriti në kryeqytetin kinez. Erkandi la pas Andreu Molchanov nga Rusia me 332 kg dhe Aghasian Agasi nga Armenia me 327 kg. Në stilin e shkëputjes, nënkampioni i botës për të rinj në Kali të Kolumbisë (2008), ngriti 151 kg, duke qenë 3 kg më poshtë se ajo që realizoi në “Pekin 2008” me 154 kg. Kampioni i Botës për të rinj në stilin e shtytjes në Pragë të Çekisë (2007) ngriti në Durrës 185 kg, teksa një muaj më parë në Kinë kishte ngritur 187 kg. Gjithsesi, rezultati në Durrës me 185 kg, është 2 kg më pak se ai që arriti në Pekin, por ajo që ka rëndësi më shumë është medalja e artë. Për të dhënë edhe një statistikë tjetër, Qerimaj kur zuri vendin e katërt në Linjano ngriti në dygarësh 345 kg: 155 në stilin e shkëputjes dhe 190 në shtytje, pra shumë më mirë se në Durrës. Gjithsesi, kampioni student i universitetit “Marlin Barleti” duhet përgëzuar për atmosferën që krijoi. “Jam shumë i kënaqur që ngrita flamurin shqiptar mes Shqipërisë. Shumë herë e kam ngritur në vende të tjera. Falënderoj trajnerin tim Zef Kovaçi, doktorin (Merepeza), gjithë stafin e federatës. Jam i nderuar që ngrita flamurin shqiptar”, - tha Qerimaj menjëherë pas përfundimit të garës.

Skeda personale

Erkand Qerimaj
Datëlindja: 10.08.1988
Vendlindja: Shkodër
Sporti: Peshëngritje
Gjatësia: 165cm
Pesha: 77kg
Rezultatet: 2005 - Kampionati Evropian U-17 Bullgari/ nënkampion, medalje argjendi. 2006 - Kampionati Evropian të rinj Sllovaki/ medalje argjendi. 2007 - Kampionati Botëror të rinj Ceki/ medalje argjendi. 2008 - Kampionati Evropian të rritur Itali. 2008 - “Pekin 2008”: i 13-ti, 77 kg. 2008 - Kampionati Evropian të rinj/ kampion i trefishtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›