Dunga, në sulmndaj FIFA-s dheshtypit brazilian

RANDBURG -Trajneri i Brazilit Karlos Dunga ka sulmuar shtypin brazilian për presionin e madh të krijuar mbi ekipin kombëtar në prag të Kupës së Botës. Duke folur në një konferencë për shtyp në Randburg, në veri të Johanesburgut, ai i quajti të padrejta sulmet, duke u kujtuar të gjithëve se nën drejtimin e tij Brazili ka shënuar 108 gola dhe ka pësuar shumë pak, ç’ka tregon për një skuadër të balancuar. “Ka një gjë të përbashkët në futboll, historia përsëritet gjithnjë, - tha Dunga duke iu drejtuar gazetarëve. – Nëse shihni gazetat e vitit 1970, 1982, 1994, 1996, është e njëjta histori. Ju keni nevojë të shkruani, të bëni punën tuaj. Mos mendoni se jam kundër jush, por secili duhet të bëjë punën e tij. Keni të drejtë të shkruani ç’të doni, por edhe unë kam të drejtat e mia, pasi jemi në demokraci. Në Afrikën e Jugut kanë ardhur 300 gazetarë brazilianë, të cilët shpresojnë që ne të mos fitojmë vetëm për të thënë se ata kishin të drejtë dhe se unë isha me fat kur fitova Kupën e Amerikës Latine dhe atë të Konfederatave”, deklaroi Dunga. Ai u shpreh gjithashtu kundër faktit që Brazilit i duhet të stërvitet gjithnjë me shumë njerëz përqark, kryesisht tifozë afrikano-jugorë që janë kuriozë për këtë skuadër. Por, Dunga iu bashkua zërave kritikë për topin e kampionatit botëror, Jabulani, për të cilin janë ankuar të gjithë portierët se është shumë i vështirë të kontrollohet. Zhulio Sezar e ka quajtur top supermarketi, ndërsa Bufon dhe Kasijas janë shprehur se ai është një top skandaloz. Dunga kritikoi ashpër edhe sekretarin e përgjithshëm të FIFA-s Zherom Valke, që tha se Brazili po kërkon justifikime ngaqë nuk ka forcë të fitojë Botërorin. “Valkesë i duhet vetëm të luajë pak futboll, - tha trajneri i Brazilit. – Nëse ai zbret në fushë për të luajtur do të ketë me siguri një mendim tjetër. Një njeri që nuk ka zbritur kurrë në fushë dhe nuk ka shkelmuar kurrë një top, di vetëm të flasë. Le të futet Valke të luajë dhe të stërvitet me ne me këtë top dhe pastaj do të flasim”, deklaroi Dunga. Ai shtoi gjithashtu se nuk është vetëm Brazili që ankohet për këtë top, por të gjithëve tashmë u duhet të përshtaten me të.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)