E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, Ahmetaj:Vendit i duhet njëmarrëveshje e madhe

TIRANE- Seanca e pasdites në Kuvend është shoqëruar me replika mes socialistëve dhe demokratëve në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Opozita i faturon qeverisë përgjegjësinë e shtyrjes në PE të votimit për rezolutën e Shqipërisë ndërsa bën apel për gjetjen e një kompromisi me qëllim që proceset integruese të mos penalizohen nga kriza politike.

Dade: Berisha te nenshkruaje kompromisin
Gjatë orës së diskutimeve të lira, fjalën e mori e para deputetja socialiste Arta Dade e cila i bëri thirrje mazhorancës të nënshkruajë kompromisin për zgjidhjen e krizës në të mirë të liberalizimit të vizave dhe proceseve të mëtejshme të integrimit të vendit.

Duke ju referuar shtyrjes së votimit të rezolutës së Shqipërisë në Parlamentin Europian, Dade tha “ka vetëm një gjë që e shpëton Berishën nga gremina ku po tërheq vendin, të nënshkruajë kompromisin ose të marrë përgjegjësinë për vonesat e integrimit të vendit”.

Paloka: Jepini fund ultimatumeve
Në seancën e sotme parlamentare deputeti i PD, Edi Paloka i ka bërë thirrje opozitës ti japin fund thirrjeve ultimative, ndërsa shton se këto thirrje I shërbyen PS, vetëm për të ndërprerë grevën.

“Vazhdoni të flisni për ultimatume e marrëveshje, i kërkuat për të dalë nga greva. Përpiquni të ecni me hapin e kohës ku jeni dhe jo ku doni ju të jeni”, - deklaroi ai nga salla e Kuvendit. 

Ahmetaj: Kriza mban peng liberalizimin
Deputeti i Partisë Socialiste Arben Ahmetaj, ka deklaruar nga salla e Kuvendit se moszgjidhja e krizës po pengon liberalizimin e vizave për shqiptarët. Duke iu referuar deklaratave të fundit të ndërkombëtarëve, Ahmetaj apelon për zgjidhjen e krizës politike. “Parlamenti Europian e shtyu përshëndetjen për liberalizimin e vizave të shqiptarëve, edhe në Sarajevë u theksua se nuk do të ketë liberalizim të vizave pa zgjidhjen e krizës. Miqtë dhe partnerët na kanë dhënë një ultimiatum, që ka të bëjmë me ndërgjegjen e atyre që mbajnë kutitë e mbyllura”, - theksoi Deputeti i PS. 

Ndërsa ka akuzuar qeverinë se po mban peng liberalizimin, Ahmetaj theksobn edhe njëherë rëndësinë e një marrëveshjeje të madhe, mes palëve politike që i jep fund krizës. “Vendi ka nevojë për një marrëveshje të madhe që ka në themel transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, reformën parlamentare, reformën zgjedhore e ekonomike. Sot është e qartë që kjo qeveri mban peng liberalizimin e vizave, të gjitha kushtet janë plotësuar përvec transparences”, - shtoi Ahmetaj.

Në fjalën e tij deputeti Ahmetaj ka lëshuar akuza edhe ndaj kryeparlamentares Topalli, duke theksuar se “Topalli kërkon që opozita të mos funksionojë, Topaslli po vjedh rrogat e deputetëve të PS duke dashur të jemi të varur prej saj”. Duke e krahasuar kryeparlamentaren si konkurente të denjë të Berishës, Ahmetaj theksoi se Kuvendi nuk mund të funksionojë më kështu.

Ndërsa kryetarja Topalli akuzave të deputetit të PS, Arben Ahmetaj i është kundërpërgjigjur me akuza të tjera. Sipas saj, “Deputetët e PS po i bëjnë presion administratës së Kuvendit, pasi kërkojnë dietat e kohës kur ishin në grevë”. Duke kërkuar heqjen dorë nga ky presion, kryeparlamentarja shprehet se “ Mbështet vendimin e administratës së Kuvendit”.

Bregu: PS po shtrembëron deklaratat e BE
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaroi gjatë fjalës së saj në Kuvend se opozita po shtrembëron deklaratat e ndërkombëtarëve në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave.

Duke ju referuar deklaratës së BE-së në Samitin e Sarajevës, Bregu theksoi se ndërkombëtarët dhanë garanci për heqjen e vizave pa vonesë për Shqipërinë, duke shtuar se opozita është e prirur për të shtrembëruar deklaratat e BE.

Rregullorja e Kuvendit, Gjiknuri akuza Topallit
Deputeti Damian Gjiknuri akuzoi nga foltorja e kuvendit, kryeparlamentaren Topalli se po shkel rregulloren e Kuvendit duke u përpjekur t’u heqë deputetëve të drejtën e votës së fshehtë.
“Ditët e fundit kemi mësuar për tentativën e kryetares së Kuvendit në mënyrë që të amendohej rregullorja për të hequr votimin e fshehtë të deputetëve. Pasi ja hoqën votën e fshehtë shqiptarëve, duan t’ja heqin dhe deputetëve. Kjo lëvizje ka për qëllim emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, sipas orekseve të kryeminsitrit” theksoi Gjiknuri.

Ka qenë e menjëhershme përgjigjia e kryeparlamentares Topalli e cila ka nënvizoi se amendimet në rreguloren Kuvendit janë në respekt të plotë të ligjit.
“Shikoj që prej disa ditësh keni hequr dorë nga transparenca” u shpreh Topalli duke ju drejtuar deputetëve socialistë.
(e.n/m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›